Presidenti i FSHA apel ministrisë, Ruli: Skandal me buxhetin e sportit, kemi përfunduar si lypsarë duke kërkuar lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2021 | 17:26

Presidenti i FSHA apel ministrisë, Ruli: Skandal me buxhetin e sportit, kemi përfunduar si lypsarë duke kërkuar lekë

Federata Shqiptare e Atletikës, ashtu sikurse shumë federate të tjera ka një kalendar të ngjeshur garash kombëtare dhe ndërkombëtare, teksa që në ditët në vijim ashtu si zakonisht do të startojnë ballkaniadat e sallave të mbyllura. Por drejtuesit e FSHA-së janë tepër të alarmuar për shkak se ende nuk është çelur buxheti nga Ministria e Sporteve. Gjergj Ruli, presidenti i FSHA-së në një prononcim për “Panorama Sport” shprehu të gjithë shqetësimin e tij për këtë situatë të krijuar, të cilën e quan një skandal:

gjergj ruli

“Unë mirëkuptoj gjithçka duke filluar nga tërmeti apo pandemia, por buxheti i këtij viti për sportin është aprovuar nga qeveria prej kohësh, ndërsa problemi qëndron tek drejtoria e sportit në MASR. Federata e Atletikës e ka dërguar kalendarin e garave të 2021-it që në muajin tetor në të gjitha rrugët zyrtare. Jemi një federatë që kemi 4 kandidatë për në olimpiadë dhe për mua është një skandal i madh që ende nuk është hapur buxheti. Kemi filluar aktivitetet duke bërë lypsarin nëpër ambasada, Komitetin Olimpik apo tek njerëz të ndryshëm, për të mundësuar pjesëmarrjen e ekipit kombëtar nëpër aktivitete zyrtare, ku përfaqësojmë flamurin e Shqipërisë”, deklaron Ruli.

Më tej kreu i atletikës shqiptare u bën apel organeve shtetërore që ta zgjidhin urgjentisht këtë problematikë alarmante: “Në takimin që pata me ministren disa ditë më parë, më bëri të ditur se ia ka deleguar të gjitha gjërat drejtorisë së sportit. Nuk arrij ta kuptoj arsyen, vështirësinë apo burokracinë që është për të ndarë këtë buxhet dhe për ta dërguar urdhrin tek thesari në mënyrë që të lëvrohen paratë. Duhet të bëjnë patjetër urgjentisht shkresë urdhëresën dhe t’ia dërgojnë thesarit sepse situata është alarmante, sidomos për federatat të cilat janë pjesë e Lojërave Olimpike. Nëse nuk e bëjnë diçka të tillë do të thotë se kemi një paaftësi totale”.

Ruli e vijon prononcimin e tij duke treguar me detaje vështirësitë që vijnë nga vonesa e buxhetit: “Pasnesër ne do të nisim ekipin U-19 me trajner Taulant Stermasin dhe dy atletë, të cilët do të shkojnë me makinën e trajnerit, për shkak se nuk ka dalë buxheti. Një sakrificë e madhe të cilën nuk e meritojmë si federatë sepse jemi elita e sportit. Taulanti po merr përsipër të udhëtojë më makinën e tij, të ndërrojë gomat dhe të bëjë shpenzime. FSHA nuk është si futbolli që prodhon para, por është totalisht e varur nga shteti”.

Në fund Ruli kujton me nostalgji periudhën e disa viteve më parë, teksa thotë se sporti kishte një tjetër qasje nga qeveria: “Koha e artë për ne ishte periudha në të cilën ministër i Arsimit dhe Sporteve ishte Edi Rama dhe zv.ministër Artan Shyti. Në ato vite kishim një buxhet 3-fish më të lartë se sot. Tani kemi një konflikt shumë të madh institucional, ndërsa ne nëse nuk i sigurojmë paratë në rrugë private nuk marrim dot pjesë në aktivitete. Problemi qëndron tek drejtoria e sporteve në ministri, të cilët duhet urgjentisht t’i japin hakun kalorësit dhe t’i vendosin patkonjtë kalit”, përfundoi Ruli.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"