Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Ruli: Asnjë urim nga ministria për medaljet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2020 | 19:46

Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Ruli: Asnjë urim nga ministria për medaljet

Gjergj Ruli, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, në një prononcim për “Panorama Sport”, foli për Ballkaniadën “indoor” të mbajtur në Stamboll. Ruli fillimisht e nisi me kritika për indiferencën e Ministrisë së Sporteve:

Gjergj Ruli

“Ishte një event ku morëm pjesë me numër minimal për shkak të buxhetit, ku edhe shpenzimet i rregulluam në rrugë private. Më vjen keq, pasi nuk morëm asnjë telefonatë urimi nga Ministria e Sporteve. Megjithatë, kush e ndien sportin le ta ndiejë, ndërsa ata që rrinë për rrogën le të vazhdojnë”. Më pas, kreu i FSHAsë, i cili është edhe trajneri i Izmir Smajlajt, komentoi me nota pozitive paraqitjen e ekipit tonë kombëtar: “Skuadra ishte superperfekte duke marrë parasysh edhe vështirësitë, pasi ne vijmë nga natyra në ‘indoor’, ku nuk është aspak e lehtë të ambientohesh me ndryshimin e temperaturave. Izmir Smajlaj bëri një garë të shkëlqyer, ndërsa siç e kam thënë shumë shpejt do t’i bëjë të lumtur të gjithë tifozët e atletikës në garën që do të mbahet më datë 27 në Beograd. Luiza Gega bëri vetëm detyrat e shtëpisë”.

“Një atlete e konfirmuar, e cila ndonëse nuk kishte konkurrencë që ta nxiste edhe më shumë për ritmin, arriti të dilte kampione duke thyer edhe rekordin e pistës. Franko Burraj bëri një garë historike, por për një konstatim të gjyqtarit për një prekje të vizës së kundërshtarit, ai u skualifikua. Dha një kohë rekord kombëtar për Shqipërinë, por ishte i pafat. David Nikolli është një profesionist, por për mendimin tim bëri një gabim taktik, megjithatë mori një medalje bronzi. Ndërsa Eraldo Qerama bëri një paraqitje relativisht të mirë, duke u renditur i katërti në garën e 800 metrave. Pra, me katër garues të kthehesh me 3 medalje, mendoj që është një supersukses. Kështu që, dua të falënderoj të gjithë sportistët dhe trajnerët për punën e bërë, e shpresoj që në garat e ardhshme do të jemi gjithnjë në nivele të larta. Gjithashtu, shpresoj që shteti ta shikojë atletikën si sport prioritar. Kam ngelur duke i rënë kësaj violine dhe shpresoj që notat e mia muzikore t’i dëgjojnë dhe të më mirëkuptojnë. Ne në Olimpiadë do të jemi me 3 apo 4 atletë, kështu që duam mbështetje, pasi do t’ju japim buzëqeshje”, përfundoi deklaratën e tij presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"