Presidenti i federatës së volejbollit: Kualifikimi i femrave arritje madhështore, premio për çdo ndeshje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2018 | 19:58

Presidenti i federatës së volejbollit: Kualifikimi i femrave arritje madhështore, premio për çdo ndeshje

Pas mbylljes së ndeshjeve në grupe të vlefshme për Euroligën, ku skuadra e Shqipërisë bëri një paraqitje shumë të mirë, mbi të gjitha me ekipin e femrave që arriti një rezultat fantastik, duke u kualifikuar për në “Final 4” (ndeshjet zhvillohen në Suedi), është presidenti i Federatës së Volejbollit të Shqipërisë, Erlind Pëllumbi, ai që duartroket këtë arritje.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Pëllumbi rrëfen vështirësitë që ka kaluar kjo federatë dhe gjithashtu flet për objektivat e së ardhmes.

erlind pellumbi

Si do ta vlerësoni ecurinë e skuadrës gjatë këtyre viteve?

Në momentin që mora drejtimin e volejbollit shqiptar, ky sport ishte në situatë kritike dhe vihej në diskutim nëse do të vazhdohej të luhej apo jo. Fillimi ishte shumë i vështirë për ne. Më pas u regjistruam në kompeticione në të cilat mund të garonim dhe filluan të vinin dhe rezultatet e para pozitive. Në vitin e parë fituam përballë Polonisë dhe Bjellorusisë. Ndërsa në vitin e kaluar u eliminuam për vetëm 4 pikë nga Suedia, pasi ishim barazim si me ndeshje dhe me sete.

A jeni i kënaqur me gjendjen aktuale të skuadrës?

Sigurisht, pasi këtë vit në skuadrën e meshkujve u bë një rinovim i ekipit ku u ul ndjeshëm mosha mesatare dhe si rrjedhojë kishim një skuadër me më pak eksperiencë, por që do t’i tregojë vlerat në të ardhmen. Gjithashtu, ky rinovim do të vazhdojë në skuadrën e femrave dhe shpresojmë të mirëkuptohemi, pasi po projektojmë një të ardhme të suksesshme për ekipin kombëtar dhe dëshirojmë të jemi kompetitivë e të përballemi pa frikë me kundërshtarët. Mos të futemi në parket inferiorë si në këto 20 vitet e fundit, ku konsiderohej sukses vetëm se merrnim ndonjë fitore sporadike.

Një mendim për skuadrën e femrave që po kalon momente të arta…

Po të shohim paraqitjet e skuadrës shqiptare në këto 20 vitet e fundit, kuptojmë se kemi arritur diçka shumë të madhe, madje duhet konsideruar një arritje historike për volejbollin shqiptar. Pasi të mundësh Austrinë dhe të renditesh sipër Izraelit dhe Gjeorgjisë nuk është e lehtë. Ne jemi të kënaqur edhe nga meshkujt, pasi në shumë raste kanë zhvilluar ndeshje të mira, ku vetëm pak pikë na kanë mohuar suksesin.

A i ka mbështetur financiarisht federata ekipet kombëtare? A kanë marrë premio për fitoret në këtë turne?

Edhe pse buxheti i federatës është shumë i reduktuar, ne e kemi mbështetur ekipin dhe do të vazhdojmë ta mbështesim gjithmonë, pasi e meritojnë për punën dhe djersën që derdhin. Ndonëse kanë qenë relativisht modeste, premiot nuk kanë munguar për çdo ndeshje. Gjithashtu, jemi të organizuar në mënyrë shumë të mirë dhe u kemi krijuar mundësinë që mos t’u mungojë asgjë dhe që të jenë në gjendje të japin më të mirën e tyre.

Cilat janë objektivat që keni për të ardhmen?

Tashmë kemi fazën finale të Euroligës për femra ku shpresojmë të dalim sa më mirë, pasi do të ishte diçka fantastike, më pas na presin “Lojërat Mesdhetare” që do të jetë një eksperiencë shumë e rëndësishme për ne, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur për eliminatoret e kampionatit europian që do të zhvillohen në gusht.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"