Presidenti i Elbasanit takim me kryebashkiakun, “pakt” për kapërcimin e krizës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2020 | 22:12

Presidenti i Elbasanit takim me kryebashkiakun, “pakt” për kapërcimin e krizës

Mosmarrëveshjet midis Arben Lazes dhe Bashkisë së Elbasanit duket se po sheshohen njëherë e mirë dhe me shumë gjasa një “erë” e re mund të nisë për klubin e futbollit të Elbasanit. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se kryebashkiaku Gledian Llatja dhe presidenti i klubit, Arben Laze, kanë pasur një takim, ku kanë diskutuar rreth situatës aktuale.

Elbasani goli logo

Tema kryesore e bisedës ishte kapërcimi i kësaj situate që po mban të bllokuar klubin, zgjidhja e ngërçit të aksioneve. Përgjatë 4 viteve të fundit, nga momenti kur u shitën aksionet te kompania angleze, që nuk iu përmbajt marrëveshjes, klubi është endur nëpër kategori inferiore dhe madje zbriti edhe në të Dytën. Ndoshta sezonin e ardhshëm do të kemi një tjetër skuadër, që të mos luajë thjesht për mbijetesë, por për ngjitjen në Superiore, ku mungon prej 7 sezonesh.

LAZE – Takimin midis Llatjes dhe Lazes e konfirmon për gazetën vetë presidenti, i cili vlerëson angazhimin e kryebashkiakut për t’i dhënë një zgjidhje situatës dhe së bashku të bëjnë më të mirën e mundshme. “Po, kam pasur një takim me kryebashkiakun Llatja, ku kemi diskutuar për çështjet e klubit dhe për t’i dhënë një zgjidhje situatës.

Elbasani-Shenkolli

Vlerësoj gatishmërinë e tij për të vazhduar përpara për të mirën e klubit. Ramë dakord që së bashku të bëjmë maksimumin për ringritjen e ekipit dhe kam besim se do t’ia dalim. Kaq mund t’ju them për momentin dhe kam besim se gjërat po shkojnë në rrugë të mbarë”, u shpreh shkurtimisht Laze, pa dashur të zbulojë diçka më shumë rreth bisedës që ka kryer me kreun e Bashkisë së Elbasanit. Këtë sezon Elbasani e arriti mbijetesën në Kategorinë e Parë vetëm në javën e fundit, duke evituar rënien edhe një herë në nivelin më të ulët të futbollit shqiptar.

Fatjon Rupi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"