Presidenti i Besës i bën apel qeverisë: Të paktën të jemi si Kosova
Ekipet e Superiores kanë “kërcënuar” disa ditë më parë me bojkot të kampionatit, duke i vënë disa kushte qeverisë për lehtësira financiare në investimin e tyre. Në këtë linjë është edhe presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, i cili zotëron 67% të aksioneve, ndërsa Bashkia e Kavajës ka 33% të tyre.
“Kam vite që investoj për Besën, duke i sjellë qytetit trofe që kurrë më parë nuk i kishte arritur. E di unë sa dhimbje koke kam pasur për këto trofe, e çfarë kam fituar? Asgjë, vetëm disa momente gëzimi dhe pastaj angazhim, stres, kokëçarje. E dëgjuat kolegun tim të Teutës, Edmond Hasanbelliun, kur tha se e zë koka kur i përmendin shpenzimet. Bashkohem me qëndrimin e Ligës Profesioniste, me kërkesat e saj ndaj qeverisë.
Krahas vështirësive që kemi pasur gjithmonë, sezonin e fundit u shtuan edhe tërmeti dhe virusi. Është krizë dhe në këtë situatë kolegët e mi kërkojnë aq sa bën Kosova të paktën. Të jemi të barabartë me Kosovën, që ka vetëm disa vite shtet dhe po na lë prapa në të gjitha drejtimet në sport. Nuk besoj se Kosova ka buxhet më të madh se i Shqipërisë, por thjesht ka njerëz të përgjegjshëm.
Nuk kemi nevojë të vijnë qeveritarët për të bërë foto, kur Kombëtarja shkon në Europian, apo kur në “Air Albania” ka aktivitete. Qeveria së pari të mbajë premtimin dhe të mendojë për të nesërmen e futbollit. Nëse vijohet kështu, të tjerë emra me peshë historike të futbollit shqiptar, si Besa, Lushnja, Flamurtari, Luftëtari etj, do të kalojnë kriza”, tha presidenti i Besës, Bizhdili. Ai ka nisur punën për sezonin e ardhshëm dhe këtë javë pritet të bëjë publike të tjera afrime, përveç një braziliani që e ka prenotuar prej kohësh.
Feriz Ferizaj
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"