Presidenti i Besës bën llogaritë: Në Superiore, me stadium të ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2020 | 14:40

Presidenti i Besës bën llogaritë: Në Superiore, me stadium të ri

Këtë të diel starton sezo ni i ri. Verdhezinjtë do ta nisin me dy transferta jo të lehta në 4 ditë dhe të dyja ndaj Lushnjës, e para në Kupë dhe e dyta në kampionat. Kavajasit luajtën të mërkurën një miqësore me Luzin, ku fituan 5-2, por më shumë se rezultati drejtuesit e saj i kënaqi loja. Pritet të jetë sezoni i së vërtetës për Besës. Presidenti Bizhdili ka bindjen se Superiorja do të bëhet realitet. Sipas tij, Besa ka ekipin më të mirë të 5 viteve të fundit. Ai bën me dije se së shpejti do bëhet tenderi për stadiumin e ri, që do të ndërtohet në të njëjtin vend.

Bizhdili-2

Të dielën filloni sezonin me kupën, ku ndesheni po me Lushnjën, por objektivi kryesor është kampionati, apo jo?

Për Besën e këtij sezoni kemi investuar shumë në të gjithë komponentët e ekipit. E them me bindje se kam ekipin më të mirë të 5 viteve të fundit. Sivjet studiuam bashkë me stafin nevojat në çdo rrol dhe u munduam të përzgjedhim lojtarët cilësorë në këto poste. Jo vetëm kaq, por kemi të dubluar shumicën e roleve me lojtarë po kaq cilësorë, duke nisur nga porta. Miqësoret e luajtura ndaj ekipeve të së Parës dhe Superiores na kanë bindur se vërtet kjo Besë është më e mira e viteve të fundit.

A mund ta arrijë ajo objektivin e rikthimit në Superiore?

Këtë doja të thosha. Grupi që kemi këtë sezon i ka të gjitha, kualitetin, përvojën dhe gërshetimin e brezave për të synuar suksesin. Rreth 70% të grupit janë lojtarë 19-21-vjeçarë, çka na garanton vazhdimësi edhe në Superiore. Nuk do kemi nevojë ta rindërtojmë Besën nga e para, thjesht do përforcohemi. Tani kërkojmë që ekipi të japë maksimumin në çdo sfidë, sikur të ishte gjithnjë ndeshja e parë. Duke pasur besim dhe duke luftuar në fushë javë pas jave, besoj më shumë se kurrë te suksesi.

Kur do t’u jepni fund ecejakeve me stadiumin?

Më shumë se kujtdo, kjo gjë më ka kushtuar mua në aspektin financiar dhe atë të rezultateve. Askush nuk ta jep terrenin falas. Po ashtu, ndryshimi javë pas jave i fushës ndikoi edhe në rezultate. Tani kanë marrë fund këto shëtitje dhe sivjet shtëpia jonë do jetë stadiumi i Luzit të Vogël. Brenda dy javësh besoj zhvillohet tenderi për ndërtimin e stadiumit të ri në të njëjtin vend ku ndodhet stadiumi aktual. Ky investim bëhet duke besuar se sezonin tjetër, kur të nisë Superiorja, ta luajmë në stadiumin tonë.

Duke u kthyer te starti, keni dy ndeshje radhazi me Lushnjën në kupë dhe kampionat…

Lushnja, ashtu si Besa, është ekip me përvojë Superiore. Në kupë apo kampionat, gjithnjë duelet mes tyre kanë qenë të forta dhe të paparashikueshme. Besa kërkon ta nisë me fitore, por s’do ta kemi aspak të lehtë në Lushnjë. Nuk e di saktë se kur do të zbatohet orientimi i UEFA-s që në 30% të kapacitetit të stadiumit të lejohen tifozët. Do të ishte një mbështetje për ne, por më shumë një argëtim për tifozët. Shpresoj që kjo të ndodhë shpejt.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"