Presidenti i Besëlidhjes, Noka: Jemi ndërtuar për Superioren, lojtarët më janë zotuar se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2021 | 20:58

Presidenti i Besëlidhjes, Noka: Jemi ndërtuar për Superioren, lojtarët më janë zotuar se…

Besëlidhja vijon stërvitjen intensive nën drejtimin e trajnerit Sinan Bardhi. Ndonëse renditen në vendin e 4-t dhe janë 8 pikë larg kreut, lezhjanët nuk kanë në plan që të heqin dorë nga misioni “Superiore”. Këtë e konfirmon për “Panorama Sport” edhe vetë presidenti. Gjok Noka pret “zgjimin” e skuadrës së tij, duke filluar nga e shtuna. Ka rezerva për bilancin e fazës së parë, por besimin te grupi nuk e ka humbur. “Puna për ndërtimin e Besëlidhjes pretendente vijon.

gjok noka

Me këtë qëllim ndërhymë edhe në merkaton e janarit, për të rifreskuar ato pozicione që nuk po funksiononin si duhej. Besoj se kemi bërë më të mirën e mundshme dhe kemi kompletuar skuadrën me produktin e duhur. Për çka dhamë fazën e parë kam rezervat e mia. Nuk kam mbetur i kënaqur dhe ishte pikërisht kjo pakënaqësi që na detyroi të sillnim në Lezhë disa futbollistë cilësorë. Lamë pikë në ndeshje që nuk duhej kurrsesi t’i linim. Gjithsesi, koha që kemi në dispozicion na premton të ecim drejt objektivave dhe për këtë nuk më mungon optimizmi”, u shpreh fillimisht numri një i klubit.

PREMTIMI

Besëlidhja ka më shumë se një dekadë në Kategorinë e Parë dhe shpreson që këtij rrugëtimi t’i vijë fundi në mbyllje të këtij kampionati. Edhe pse gara është e ashpër, lezhjanët mendojnë se do ta parakalojnë Dinamon kryesuese. Noka zbulon se në analizën e fundit, lojtarët i janë zotuar për autokritikën. “Ekipi është zotuar se do t’i vlerësojë që të gjitha ndeshjet si finale dhe do të triumfojë. Por, kjo vjen duke punuar fort dhe eliminuar gabimet. Dhe, duhet thënë që nuk na kanë munguar këto javë. Kualiteti nuk na mungon. Nënvlerësimi i disa kundërshtarëve më ka zhgënjyer.

Por, kam besim te ky grup futbollistësh. I kanë që të gjitha mundësitë për të marrë maksimumin. Autokritika e tyre do të vlejë vetëm nëse e bëjnë këtë në fushën e lojës. Në analizën që kemi zhvilluar së fundmi, lojtarët më kanë premtuar se këtej e tutje çdo gjë do të jetë ndryshe. Kthesa duhet të nisë që në ndeshjen e radhës, ku përballë do të kemi Partizanin B. Unë kam bindjen se këta lojtarë, të udhëhequr nga stafi teknik, do t’ia dalin të realizojnë objektivin final”, përfundoi presidenti.

PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"