Presidenti i Besëlidhjes “ironizon” Partizanin, Noka: Jemi njëlloj si “demat”, të fundit të kategorive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2021 | 12:01

Presidenti i Besëlidhjes “ironizon” Partizanin, Noka: Jemi njëlloj si “demat”, të fundit të kategorive

Presidenti i Besëlidhjes, Gjok Noka, në prag të ndeshjes së parë të Kupës ndaj Partizanit në një prononcim për “Panorama Sport”, pohoi se skuadra lezhjane nuk e ka nisur mbarë kampionatin e Kategorisë së Parë, por kjo nuk i pengon ata që t’i surprizojnë sërish të kuqtë e kryeqytetit.

gjok noka

Noka e shikon përballjen e sotme si një sfidë burrash 11 kundër 11 dhe shpreson që skuadra e tij të triumfojë sërish në Kupë ndaj Partizanit, ashtu siç ka bërë edhe në përballjet e shkuara në këtë kompeticion.

“Duke lënë pas shtatë javët e para të luajtura në kampionat, nesër (sot) do të ndeshemi me Partizanin, në kuadër të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë. Në këto pesë vitet e fundit është hera e tretë që ndeshemi me Partizanin në kompeticionin e Kupës.

Dy herët e kaluara i kemi skualifikuar, kështu që sfida me të kuqtë do të jetë interesante. Ndryshe nga sezonet e tjera, ku ne ishim pretendentët kryesorë për ngjitje, ky duel me Partizanin na gjen në pozita jo të favorshme, por shpresoj se ndaj kryeqytetasve ekipi do të japë më të mirën e mundshme.

Do të ndeshen 11 burra me 11 burra, më i miri dhe më i pagabueshmi do të fitojë. Besoj se trajneri Alban Bruka do të aktivizojë formacionin e parë, pavarësisht se të gjithë vëmendjen e kemi të përqendruar te ndeshja e radhës në kampionat në Fier.

Ne për Partizanin jemi kthyer në një “mace të zezë”, ndaj edhe kësaj here mund të ketë surpriza. Po të analizojmë pozicionet në nivelet ku militojmë, ne dhe Partizani pothuajse kemi të njëjtin pozicion, por kuptohet që Partizani është i nivelit Superior, ndërsa ne në atë inferior.

Gjithsesi, për mua është e rëndësishme që ndaj Partizanit të zhvillohet një lojë korrekte dhe spektakolare.

Unë kam respekt si për Partizanin, ashtu edhe për trajnerin Ilir Daja, pasi ky i fundit është me të vërtetë një teknik nga më profesionistët në Shqipëri, ndaj, shpresoj se nën drejtimin e tij skuadra e kuqe do të shkojë në Kupat e Europës, pavarësisht pozicionit aktual që mban në tabelë”, u shpreh fillimisht presidenti Noka në lidhje me përballjen e parë në Kupë ndaj “demave të kuq”, takim i cili luhet sot në Lezhë, në orën 14:00.

SITUATA NË KAMPIONAT- Besëlidhja “noton” në ujëra të turbullta në kampionat, gjithsesi presidenti ka besim se ekipi do të gjejë forca për ta kaluar këtë situatë duke mos e menduar të keqen. “Sa i përket kampionatit, kam besim se në vijim gjërat do të ecin pozitivisht, pasi shpresoj se ditët e këqija për ne kanë marrë fund.

Për të folur për merkaton e janarit është ende herët, por ekipi normalisht që do të rifreskohet. Për një gjë jam i bindur, Besëlidhja do të mbijetojë me sukses, pavarësisht pozicionit aktual që mban në tabelë”, u shpreh në fund të prononcimit për gazetën presidenti i skuadrës lezhjane.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"