Presidenti i Besëlidhjes analizon ekipin: Finalizimi çalon, do futemi në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 16, 2021 | 12:40

Presidenti i Besëlidhjes analizon ekipin: Finalizimi çalon, do futemi në merkato

Besëlidhja ka një mision për 2021-shin, të largohet nga zona e rrezikut. Pasi fituan me Butrintin, kanë edhe dy ndeshje për të luajtur dhe arritur miniobjektivin. Në radhë është Besa dhe zyrtarisht dje nisën përgatitjet. Presidenti është i bindur që skuadra do t’ia dalë, ndërsa premton që nga janari situata do të ndryshojë.

presidenti gjok noka

Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, paralajmëron se do të ndërhyjë në merkato dhe do të kthehen në kërcënim serioz për skuadrat e kreut.

“Tani jam mjaft i kënaqur nga ekipi. Pas vuajtjeve, u sistemuam në korsinë e duhur. Ndeshjen ndaj Butrintit duhet ta fitonim edhe më thellë në fakt, por mungesa e katër titullarëve bëri punën e saj dhe zgjati ankthin e barazimit. Pjesën e dytë arritëm ta përmbysnim Butrintin, duke shënuar dy herë dhe duke humbur një penallti. Rastet për gol nuk munguan, por nuk u arrit finalizimi ndaj tyre. Ky është edhe momenti ku duhet të përqendrohet stafi teknik në të ardhmen. Duhet të korrigjojmë shënjestrën, që të shmangim stresin për golin.

Pozitive për ne është se po ndërtojmë një ekip të perspektivës, pasi gati të gjithë futbollistët janë në moshë mjaft të re dhe me të ardhme premtuese. Duke parë renditjen e ekipeve, diferenca me vendet e para është e arritshme që në fund të fazës së parë, pasi me vendin e pestë na ndajnë vetëm 3 pikë, ato të një ndeshjeje.

Para kemi edhe merkaton e janarit, nga ku mund të sjellim ndonjë futbollist cilësor aty ku po vërehet ndonjë defekt. Tashmë është e qartë se fazën e parë po e mbyllim në zonë komode, por po mendojmë seriozisht për fazën e dytë pasi duam të jemi kërcënim për kreun. Kam besim se në dy ndeshjet e mbetura të fazës së parë, do të marrim pikë të mjaftueshme për të na kënaqur.

Kërkoj nga stafi teknik dhe nga futbollistët që të punojnë me përkushtim në stërvitje dhe të japin maksimumin e energjisë dhe talentit të tyre në arenën e blertë, si në shtëpi ashtu edhe në transfertë”, përfundoi presidenti i Besëlidhjes.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"