Presidenti i Atletikës “përkëdhel” Izrmir Smajlajn: Në Berlin do t’iu mahnitë

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Qershor 11, 2018 | 20:16

Presidenti i Atletikës “përkëdhel” Izrmir Smajlajn: Në Berlin do t’iu mahnitë

Presidenti i Federatës së Atletikës, zoti Gjergj Ruli, që është dhe njëkohësisht trajneri i Izmir Smajlaj, rikthehet të flasë pas suksesit të arritur në Lihtenshtejn, ku atleti shkodran u shpall sportisti më i mirë i turneut europian dhe meritoi medaljen e artë, pasi kërceu 7.90 metra. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Gjergj Ruli flet për eventin e zhvilluar në Lihtenshtejn, rezultatin e arritur nga Smajlaj dhe për objektivin madhor për të cilin po përgatiten.

Ruli Smajalaj

Si do ta gjykoni eventin e zhvilluar në Lihtenshtejn?

Fillimisht dua të them që ky event ishte shumë i rëndësishëm dhe nuk mund ta quajmë event të vogël, pasi morën pjesë 19 shtete dhe janë të gjitha shtete shumë të zhvilluara dhe me standarde të larta. Gjithashtu në këtë turne ishin të pranishëm edhe krerët më të lartë të atletikës europiane dhe botërore, që tregon qartë rëndësinë dhe përmasat e mëdha të kampionatit të zhvilluar në Lihtenshtejn.

Si e vlerësoni rezultatin që arriti Izmir Smajlaj?

Izmiri u paraqit në mënyrë të shkëlqyer, pasi u shpall sportisti më i mirë i Europës dhe rezul tatet e tij janë shumë konstante. Të katërta kërcimet ishin shumë të mira dhe vetëm për pak milimetra u konsiderua faull kërcimi i jashtëzakonshëm prej 8.20 metrash. Gjithashtu dua të theksoj që Izmiri garoi në një orar krejtësisht të pazakontë për të, pasi gara zhvillohej në orën 13:00 dhe bioritmi i Izmirit është i përshtatur për garat që zhvillohen pas orës 17:00.

Rezultat shumë të mirë arriti edhe 20-vjeçari Edmond Murataj, i cili zuri vendin e tretë në garën e 400 metrave, edhe pse garoi në një korsi shumë të papërshtatshme, duke treguar se atletika shqiptare jo vetëm po mbijeton, por madje mund ta quajmë që po lulëzon.

Smajlaj

Prisni që shteti t’ju përkrahë për këto rezultate të shkëlqyera?

Edhe pse ky event nuk ka qenë i shkruar në fletoren zyrtare, mendoj dhe besoj shumë që shteti do ta vlerësojë këtë arritje dhe do të kemi shpërblim monetar, pasi ky aktivitet është i përmasave të mëdha dhe madje më i rëndësishëm edhe se Lojërat Mesdhetare. Po të bëjmë një llogari të thjeshtë, i bie të llogaritet afërsisht 15 milionë lekë, duke parë numrin e shteteve pjesëmarrëse.

Çfarë pritshmërish keni nga Izmiri në garat e ardhshme?

Shpresat tona më të mëdha janë për Kampionatin Europian që do të zhvillohet në Gjermani dhe presim të shpërthejmë në Berlin para 100 mijë shikuesve. Ky djalë (Izmiri) nuk njeh limite dhe jam i bindur që do të na mahnitë me rezultatet e tij të jashtëzakonshme.

ARTIN LLESHAJ






www.minuta90.com