Presidenti Hënes, presion lojtarëve të Bajernit: Keni 3-4 muaj kohë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2018 | 20:44

Presidenti Hënes, presion lojtarëve të Bajernit: Keni 3-4 muaj kohë…

Uli Hënes e paralajmëroi pas humbjes me Borusian e Dortmundit një revolucion në skuadrën e Bajernit në verë. Por, se sa radikalë do të jetë ndryshimi i fizionomisë së skuadrës, këtë do ta tregojnë javët dhe muajt e ardhshëm.

Uli Henes Bajern

Presion direkt – Në një intervistë për revistën “Kicker”, presidenti i bavarezëve u bëri presion futbollistëve aktualë: “Varet sesi do të luajnë. Lojtarët duhet ta dinë që në tre-katër muajt e ardhshëm janë nën presion. Më pas do vendosim se kush ja vlen të qëndrojë dhe kush jo. Merkato në verë? Po, do bëjmë disa lëvizje”.

Kush rrezikon? – Kingsli Koman paralajmëroi për një skuadër që po plaket dhe duheshin fytyra të reja për të shtuar shpejtësinë. Por, cilët janë yjet që rrezikojnë? Nën lupë sipas “Kicker” do të jenë Havi Martinez, mesfushori 30-vjeçar. Por, edhe Mats Humels do të jetë nën monitorim, deklarata e të cilit se ndaj Dortmundit luajti i sëmurë, nuk është se ia shtoi shumë simpatinë. Edhe nga David Alaba dhe Tomas Myler priten hapa përpara.

Kush vjen? – Emrat që liston “Kicker” si kandidatë të mundshëm për t’u transferuar në “Allianz Arena” janë Kevin Fogt (Hofenhaim), Ante Rebiç dhe Luka Joviç (Aintraht Frankfurt) dhe Kai Haverc (Bajer Leverkusen). Në total, investimet e klubit në merkato mund të arrijnë deri në shifrën rekord të 200 milionë eurove, por natyrisht që bilanci do të zbutet edhe prej milionave që do të hyjnë prej shitjeve.

Janar i qetë – Pas humbjes së javës së shkuar, e cila i la kampionët -7 pikë pas kryesuesve të Dortmundit, Hënes konfirmoi trajnerin “Nuk është një temë diskutimi Niko Kovaç”, por shtoi se Bajerni nuk do të hynte në merkaton e janarit për të bërë përforcime, pasi organikën aktuale e ka të pasur dhe skuadra do të forcohet akoma më shumë me rikthimet e futbollistëve të dëmtuar nga infermieria.

“Nuk do të bëjmë blerje në janar. Koman rikthehet përpara Krishtlindjeve, ndërsa Tiago mund të luajë sërish pas 2-3 javësh. Toliso do të jetë sërish i gatshëm vitin tjetër. Nuk mendoj aktualisht se trajneri ka probleme me hedhjen në fushë të një skuadre të mirë. Megjithatë, pas sezonit do të ndodhin shumë gjëra. Në verë do të jetë hapi i dytë i kalimit të brezave dhe ne do ndryshojmë me siguri disi fytyrën e skuadrës”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"