Presidenti Gjici ultimatum grupit, rrezikon Duro dhe lojtarët. Ja situata te Kukësi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2019 | 21:59

Presidenti Gjici ultimatum grupit, rrezikon Duro dhe lojtarët. Ja situata te Kukësi (E PLOTË)

Kukësi humbi ndaj Laçit me rezultatin e ngushtë 1-0 dhe tani janë në krizë. Nënkampionët u ndëshkuan nga një penallti, të cilën e kontestuan dhe vijojnë të kenë bindjen se arbitri ka gabuar. Pas ndeshjes ishte presidenti Gjici, i cili e quajti skandaloz gjykimin, por nga ana tjetër “fshikulloi” dhe skuadrën, veçanërisht theksoi se disa lojtarë nuk do të paguhen nëse do vijohet në këtë mënyrë. 

duro gjici

E Kamara ishte i ndëshkuari i parë, edhe pse në fakt ai mungonte prej disa ditësh para takimit me Laçin. Presidenti Gjici foli qartë që ishte i pakënaqur nga ekipi. Tashmë gazeta mëson nga burime të sigurta pranë presidentit dhe klubit se ai u ka kërkuar 4 fitore radhazi, në të kundërt rrezikojnë të gjithë, madje dhe trajneri Shpëtim Duro.

Pas ndeshjes, por dhe ditët më pas kreu i klubit ka kërkuar maksimumin nga skuadra, në të kundërt ai nuk do të falë më askënd, pasi situata nuk është aspak e mirë dhe në favorin e Kukësit. Nuk dihet sesa do të vlejë ky “ultimatum”, kërkesë apo dëshirë e presidentit, i cili me të drejtë kërkon më të mirën dhe që ekipi të marrë maksimumin e mundshëm, por në futboll mund të ndodhë gjithçka.

kukesi

Duke parë kalendarin e ndeshjeve që Kukësi do të zhvillojë në katër përballjet e ardhshme, përplasjet janë mjaft të forta, ku Kukësi do të presë Bylisin, më pas do të ndeshet me Tiranën në kryeqytet, Teutën brenda, e mandej do të shkojë në Shkodër. Objektivi i vënë prej 4 fitoresh është mjaft sfidues, duke parë të ardhmen.

Analiza – Duke parë humbjen e fundit dhe duke u nisur nga ajo çka presidenti tha pas ndeshjes se do të ketë një analizë të thellë për këtë humbje, por dhe për situatën në tërësi, drejtuesit kanë marrë masa që të mos humbasin kohë për urdhrin e presidentit.

kukesi

Analiza do ishte zhvilluar ditën mbas ndeshjes, por duke parë që ekipit iu dha dy ditë leje, analiza do të zhvillohet ditën e sotme. Në të do vendosen pikat mbi “i” për gabimet e bëra, e për ecurinë e ekipit deri tani. Stafi ka evidentuar të gjitha gabimet e hapat falsë të skuadrës dhe lojtarëve, e këtyre të fundit do t’u kërkohet kthesa. Më pas, një raport do t’i shkojë presidentit. Në analizë pritet të jetë dhe drejtori Nderim Nexhipi, përveç stafit teknik dhe një pjese të atij administrativ. Kampionati ka hyrë në një fazë që nuk lejohen më gabimet, e çdo i tillë të kushton.

SITUATA- Kukësi ka pasur uljet-ngritje gjatë këtij kampionati, por duhet thënë se rezultatet nuk vijnë me “pult” apo me një të “rënë të lapsit”. Trajneri Duro ka të drejtë kur ka thënë se lojtarët janë afruar shumë vonë dhe se do u duhet kohë të përshtaten, pa harruar specifikat e Kristal Abazajt dhe Enis Gavazajt, të cilët kishin shumë kohë pa luajtur dhe akoma u duhet kohë të kapin formën fizike.

Sikur të mos mjaftonin këto, trajneri jo vetëm nuk është favorizuar nga organika, por ka pasur mangësi të theksuar për shkak të dëmtimeve dhe java e fundit në ndeshjen kundër Laçit e demonstroi realisht këtë gjë. Plot 6 mungesa pati Kukësi në atë takim, ku Abazaj, Gavazaj, Shkurtaj, Kamara, Veseli Limaj e Musolli nuk luajtën.

Pesë të parët për shkaqe dëmtimi, ndërsa kapiteni për shkak të plotësimit të numrave të kartonëve të verdhë. Pauza e Kombëtares është si frymëmarrje për Kukësin duke parë pikërisht dëmtimet e shumta që skuadra ka. Me thuajse më shumë se 10 ditë pushim, stafi mjekësor i ekipit do të ketë mundësi të rikuperojë gjithë këtë grup lojtarësh.

Skerdilaid Sulozeqi – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"