Presidenti çliron lojtarët, trajneri Ahmataj debuton në transfertën e Korçës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 13, 2018 | 18:04

Presidenti çliron lojtarët, trajneri Ahmataj debuton në transfertën e Korçës

Kamza do të luajë nesër në Korçë ndaj Skënderbeut vendës. Skuadra që e nisi kampionatin në mënyrë perfekte, po përjeton një moment krize, ku ka pësuar tri humbje radhazi, ndërsa ka tetë ndeshje që nuk fiton. Sfida e së shtunës në Korçë do të jetë edhe e para e trajnerit të ri Julian Ahmataj në krye të Kamzës. Tekniku që mori drejtimin e skuadrës dy ditë më parë, duke zëvendësuar Ramadan Ndreun, do të kërkojë të bëjë surprizën në këtë transfertë.

kamza

Një ndeshje ku Kamza do të hyjë pa presion, pasi do të ketë përballë një kundërshtar me diferenca të mëdha, për më tepër që luan në transfertë. Kjo është edhe pika që kamzalinjtë synojnë të shfrytëzojnë dhe të marrin rezultat pozitiv në këtë ndeshje, ku nuk kanë presion. Ndërkaq, presidenti Naim Qarri ka zhvilluar një takim me skuadrën dhe ka kërkuar nga lojtarët angazhim maksimal. Ai u ka kërkuar futbollistëve që të luajnë të çliruar përballë një kundërshtari shumë të fortë si Skënderbeu, për të shpresuar që të marrin rezultat pozitiv.

Kamza e nisi në mënyrë perfekte kampionatin, duke u renditur në vendet e para gjatë dy fazave të para, por tashmë është në zonën e rrezikut dhe do i duhet të luftojë fort për të siguruar mbijetesën. Ekipi ka vazhduar edhe dje me seancën e radhës stërvitore. Sot, kamzalinjtë do të zhvillojnë stërvitjen e fundit dhe më pas do të nisen drejt Korçës për të qenë gati për ndeshjen e së shtunës që do të luajnë në orën 19:00.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"