Presidenti Bizhdili, i bindur: Kam krijuar Besën e Superiores, tani duhet vetëm…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2020 | 12:55

Presidenti Bizhdili, i bindur: Kam krijuar Besën e Superiores, tani duhet vetëm…

Situata në kampin verdhezi duket më optimiste se kurrë. Prej më shumë se 10 ditësh, Besa po stërvitet në mbrëmje, nën dritën e projektorëve. Para seancës së djeshme është parë në fushë edhe presidenti Nexhat Bizhdili, i cili ka folur me grupin e lojtarëve. Ai ka shprehur besimin e plotë te grupi, por dhe ka kërkuar vlerësim maksimal të çdo ndeshjeje, edhe të miqësoreve.

Bizhdili-2

“Po ju ndjek në çdo miqësore dhe pas ndeshjeve me Skënderbeun dhe Elbasanin mora komplimente nga miqtë e mi për ekipin. Për këtë sezon vërtet kemi krijuar një grup ambicioz dhe të fortë. Ndoqa dhe humbjen me Vorën, jam koshient se keni ende punë për të njohur lojën e njëri-tjetrit, ndaj dhe miqësoret duhet t’i vlerësoni si ndeshje kampionati”, u është drejtuar presidenti Bizhdili lojtarëve. Futbollistët e skuadrës kavajase më pas kanë vazhduar stërvitjen.

RIKTHIMI NË ELITË

I ngacmuar nga “Panorama Sport” për sezonin e ri, presidenti Bizhdili theksoi me bindje se ka ndërtuar Besën e Superiores. “Më besoni, kam afruar lojtarë cilësorë dhe me përvojë. Lojtarë si Moqi, Tafili, Sefa, Muçaj, Kuka, apo edhe braziliani dhe portugezi, kanë kualitet. Kemi edhe të rinjtë e talentuar nga sezoni i kaluar që tashmë janë pjekur profesionalisht. Tani duhet vetëm kolaudimi i grupit dhe kjo arrihet ditë pas dite, ndeshje pas ndeshjeje. Si president, ndeshjet miqësore i shoh vetëm në këtë këndvështrim, jo atë të rezultatit.

Temperaturat janë të larta dhe ekipi po stërvitet në mbrëmje, në kushte ideale. Edhe akomodimi është bërë në kushte shumë të mira dhe besoj shumë se këtë sezon kemi Besën ideale për të synuar kthimin në Superiore. Do jetë garë e fortë në kampionat, por besoj te vlerat e skuadrës sime. Besa i ka të gjitha, nuk i mungon asgjë për të qenë kryesuese në grupin e saj”, ka thënë numri 1 i ekipit kavajas.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"