“Pres prurje cilësore në janar, mungojnë alternativat”, Mërgjyshi: Pushimi s’na ndihmon, duhen afrime

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2020 | 23:40

“Pres prurje cilësore në janar, mungojnë alternativat”, Mërgjyshi: Pushimi s’na ndihmon, duhen afrime

Besa është e detyruar të “pushojë” dy javë. Njërën ia mundëson kalendari dhe tjetrën përballja me Luftëtarin e përjashtuar prej Kategorisë së Parë. Por, trajneri Artan Mërgjyshi nuk i gëzohet aspak kësaj ndërprerjeje 10-ditore. Këtë e thotë hapur në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”.

Mergjyshi

“Besa po kalon një formë shumë të mirë. Ekipi ka gjithë përgatitjen e duhur fizike dhe gjendjen optimale për të garuar. Këtë e dëshmojmë me fitoret tona. Në këtë kuptim, nuk e mirëpres këtë pushim. Thjesht do të na shërbejë për të rikuperuar ndonjë dëmtim të lehtë dhe për të ruajtur parametrat fizikë. Nën drejtimin tim, Besa ka marrë vetëm 2 fitore. Ndaj Pogradecit ishte kolegu im, Kashami, që e udhëhoqi drejt suksesit. Turbina është ekipi që na hapi jo pak punë. Kishte një ekip me futbollistë të përvojës, që na rrezikuan me rastet që krijuan. Ne dëshmuam qëndrueshmëri, besim, pragmatizëm dhe shënuam dy herë. Merituam gjithçka, por duke djersitur fort”, u shpreh fillimisht numri një i pankinës kavajase.

SULMI – Kaina Nunjes është “xhevahiri” i Besës. Ka shënuar 4 gola në po aq javë, duke qenë edhe shënuesi më i mirë i kësaj kategorie dhe tekniku nuk ngurron që ta vlerësojë brazilianin: “Kaina ka rezultuar mjaft efikas. Nisur nga të dhënat fizike e teknike që ka, ne kemi ndërtuar lojën taktikisht në shërbim të tij e të Peqinit. Kaina, përveçse shënon rregullisht, shërben mjaft edhe për lojtarë të tjerë. Shpresoj që të mos ndalet kurrë”.

GRUPI – Jep edhe një koment për organikën, ndërsa thekson se i mungojnë alternativat. “Po flas hapur: Besa momentalisht nuk ka numrin e futbollistëve që do të dëshiroja. Ata të rinj që kanë të ardhme, i kemi në formacion dhe nuk janë pak, si në asnjë ekip tjetër. Një skuadre pretendente i nevojitet që mjaft futbollistë zëvendësues të jenë të së njëjtës cilësi. Gara është e gjatë dhe do ketë dënime, dëmtime, mungesa. Në këtë kuptim, kemi nevojë për më shumë kontingjent. Besoj se në merkaton e janarit, presidenti Bizhdili do ndërhyjë për të afruar të tjerë emra cilësorë”, theksoi 52-vjeçari.

EGNATIA – Së fundi, ndalet edhe te kundërshtari i radhës. Vlerëson Egnatian si një ekip të fortë, por hapur e lakmon fitoren. “Egnatia këtë sezon ka investuar mjaft në cilësinë e grupit. Këtë e ka dëshmuar në ndeshjet e luajtura deri tani. Parashikoj që me ta rivaliteti do vijojë, ndoshta deri në fund. Kanë një trajner si Magani, që i njeh mirë pikat e forta dhe të dobëta të Besës. Jo më larg se vjet, ai ka drejtuar kavajasit. Edhe ne i njohim, sidoqoftë, ndaj po përgatitemi. Synimi ynë mbetet i qartë, të sigurojmë fitoren e radhës”, përfundoi Mërgjyshi.

FERIZ FERIZAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"