“Pres patjetër kualifikimin”, Ndreu nuk u zë besë Flamurtarit: Kanë ekip të mirë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2021 | 11:17

“Pres patjetër kualifikimin”, Ndreu nuk u zë besë Flamurtarit: Kanë ekip të mirë…

Kastrioti do të presë sot Flamurtarin në ndeshjen e kthimit të vlefshme për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë. Takimi do të zhvillohet në orën 13:30 në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, me krutanët që janë më të favorizuar në letër ndaj vlonjatëve me shumë traditë që këtë sezon militojnë në Kategorinë e Dytë. Për këtë takim pritet që Kastrioti të luajë me formacionin më të mirë, për të synuar patjetër kualifikimin. Ndeshja e parë në Vlorë përfundoi 0-0 dhe tashmë Kastriotit i duhet një fitore për të kaluar turin. Trajneri Ramadan Ndreu, në prononcimin për “Panorama Sport”, ka shfaqur besimin e plotë për kualifikim.

NDREU

“Po t’i bëjmë një analizë ndeshjeve të fundit, duke përfshirë edhe Kupën, pavarësisht se nuk kemi marrë atë që kemi dashur, lojërat i kemi bërë shumë të mira. Mendoj që kjo na bën optimist që këtë ndeshje kthimi të Kupës ta vlerësojmë maksimalisht dhe ta kalojmë me sukses.

Flamurtari është një kundërshtar që në letër duket i lehtë, por në realitet na ka dalë një skuadër e organizuar dhe me lojtarë që kanë luajtur në Superiore. Në këto kushte, kjo ndeshje merr një vlerësim maksimal”, ka thënë fillimisht Ndreu, ndërsa theksoi se do të përdorë formacionin më të mirë të mundshëm.

“Kupa nuk është misioni ynë, por është një kompeticion që na jep mundësinë që herë pas here të testojmë veten, që të jemi sa më në ritëm me kampionatin. Synojmë që të shkojmë sa më larg. Kemi punuar gjatë kësaj kohe, duke qenë të kujdesshëm në të gjitha drejtimet, ndaj shpresojmë ta vlerësojmë dhe në fushë të shfaqim më të mirën.

Rezultati 0-0 i ndeshjes së parë nuk është se na favorizon shumë, por përderisa nuk kemi marrë gol dhe sot luajmë në fushën tonë, mendoj se jemi më të favorizuar për kualifikimin. Do të luajmë me ekipin e parë, që e ka kualitetin për të përballuar sfida të vështira, ndaj besoj se do ta kalojmë me sukses”, përfundoi kreu i pankinës krutane.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"