“Pres lajme të mira”, Resuli, me “sytë” nga federimet: Kthimi i Ribajt na dha qetësi, me Besën do kërkojmë fitoren e parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2020 | 13:08

“Pres lajme të mira”, Resuli, me “sytë” nga federimet: Kthimi i Ribajt na dha qetësi, me Besën do kërkojmë fitoren e parë

Ngjallen shpresat për federimin e 4 lojtarëve te Flamurtari. Sistemi i FIFA-s mund të hapet dhe Tarik Çmajcanin, Burak Menga, Alvi Ahmetaj dhe Stiven Puci mund të regjistrohen si kuqezinj. Lajmin e konfirmon për “Panorama Sport” vetë trajneri Dritan Resuli, i cili sqaron se këto ditë mund të zhbllokohet merkatoja. “Presim që të marrim lajme të mira për federimin e lojtarëve që i janë bashkuar ekipit në merkaton e këtij sezoni. Shpresojmë që të kemi zhvillime në këtë drejtim këto ditë. Afrimi i tyre pranë ekipit dhe aktivizimi do të na kompletonte shumë, pasi janë lojtarë që bëjnë diferencën”, u shpreh fillimisht numri një i pankinës vlonjate.

RESULI

SITUATA – Rikthimi i Andi Ribajt i ka dhënë qetësi teknikut, ndërsa hapur e thotë se ekipi është më i karikuar se kurrë. “Situatën në ekip e kemi shumë të mirë. Na është rikthyer edhe Andi Ribaj pas një problemi shëndetësor që kishte dhe kjo gjë na jep edhe më shumë qetësi. Sulmuesi është duke u rikuperuar dhe shpresojmë që ta kemi gati sa më shpejt për t’u aktivizuar. Lojtarët janë të karikuar për të bërë më të mirën. Këtë gjë e pamë edhe në ndeshjen miqësore me Orikun që zhvilluam në fundjavë në Vlorë. Në atë ndeshje bëmë disa lëvizje pozicionesh për të parë më të mirën e lojtarëve. Shfrytëzuam javën pushim për të mbajtur në tonus skuadrën. Po ashtu, lojtarët janë shumë të angazhuar edhe në seancat stërvitore për të bërë më të mirën gjatë këtij kampionati për realizimin e objektivit, që ta shohim sa më shpejt në elitë Flamurtarin”, thotë vlonjati i stolit.

BESA – Trajneri kërkon fitoren e parë sezonale dhe është i bindur se ajo do të vijë përballë Besës. E ndërsa vlerëson maksimalisht kundërshtarin, ai llogarit vetëm pikët nga 90-minutëshi. “Ndeshja me Besën është shumë e rëndësishme për ne. Luajmë me një ekip të fortë. Besa ka qenë gjatë gjithë kohës ekip pretendent edhe kur ka qenë në Superiore, edhe tani. Kundërshtari ecurinë e ka të mirë, por ne do të mundohemi që të japim maksimumin. Përqendrimi është maksimal dhe kemi pasur kohën e nevojshme në dispozicion për ta përgatitur si duhet këtë takim. Kam shumë konsideratë për Besën pasi është ekip i një qyteti me tradita në futboll. Do të jetë një ndeshje e bukur dhe e luftuar. Ne do të bëjmë maksimumin në atë ndeshje. E luajmë në shtëpi dhe do të japim gjithçka për të marrë trepikëshin”, përfundon Dritan Resuli.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"