“Pres gjykim korrekt. Ta mundim Besën edhe pa… Cankën”, Canaj: Vetëm fitorja na nxjerr nga telashet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2022 | 10:03

“Pres gjykim korrekt. Ta mundim Besën edhe pa… Cankën”, Canaj: Vetëm fitorja na nxjerr nga telashet

Lushnja kërkon kthesën. Pas asaj humbjeje në Sarandë, vetëm fitorja i nxjerr nga telashet. Këtë e ka të qartë edhe Agim Canaj, i cili i jep edhe një “recetë” ekipit para përballjes me Besën. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, konfirmon mungesën e Mikel Cankës në sulm, por shpreh edhe një merak që ka për vazhdimësinë.

AGIM CANAJ

A ju largon nga telashet një fitore me Besën?

Nga telashet do të na largojë patjetër, por për këtë duhet punë dhe seriozitet. Një fitore e vetme ndoshta nuk të shpëton, por të ndihmon. Llogaritë janë të thjeshta, që t’i largohemi fundit duhet të mbledhim sa më shumë pikë. Unë e kam vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje. Luajmë me Besën, me shumë traditë në futbollin shqiptar. Duhet të luftojmë e të luajmë me grintë. Nëse veprojmë kështu, mund të marrim edhe maksimumin.

Sa e njihni Besën dhe a mendoni që mund t’ju prish punë nesër (sot)?

Në futboll ndikon faktori fushë dhe ai jashtë fushe. Unë edhe tani në Kategorinë e Parë jam mbështetur tek i pari. Se çfarë ndodh jashtë fushe pastaj, është tjetër gjë. Unë shpresoj që gjithmonë edhe gjykimet të jenë korrekte. Ne e pamë në ndeshjen e shkuar. Asnjëherë nuk jemi marrë me arbitrat dhe unë nuk do të merrem me ta, por situata ka ardhur në një moment shumë të vështirë, pasi katër ekipe dalin dhe dy ekipe janë në “play out”. Shpresoj shumë që të mos ndikojnë faktorë të jashtëm. Korrektësia duhet të jetë nga të gjitha palët. Ne gjithmonë, sidomos në ndeshjet që kemi bërë brenda, i kemi pritur kundërshtarët me qytetari. Ne jemi kundër dhunës dhe ndonjë faktori tjetër që ndikon negativisht në mbarëvajtjen e një ndeshjeje.

Si është gjendja e Cankës?

Canka nuk do të luajë. Situata e tij është duke u përmirësuar, por ne nuk mund të rrezikojmë. Për situatën që po kalon momentalisht disa gjëra nuk i përballon dot. Është një dëmtim që kërkon edhe pak kohë për të ardhur në nivelin e vet. Dhe kjo bën që ai nesër të mos jetë fare me grupin.

Gjërat sikur po ndryshojnë te Lushnja, duke u nisur nga infrastruktura. A është ky një hap që paralajmëron ndërtimin e një ekipi për ngjitje në elitë vitin tjetër?

Kjo është një pyetje që nuk më takon mua. Unë kam ardhur këtu me një objektiv të qartë, për ta mbajtur Lushnjën në kategori.

Nëse sigurohet mbijetesa, do të ishit gati për një tjetër vit në Lushnjë?

Qëllimi kryesor është që ne të shpëtojmë sezonin. Më pas, gjërat do të shikohen.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"