“Pres fitoren ndaj Teutës”, drejtori Dadaj: Ju tregoj situatën me… Filin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2019 | 22:19

“Pres fitoren ndaj Teutës”, drejtori Dadaj: Ju tregoj situatën me… Filin

Vetëm 1 barazim në 5 javët e fundit, ka futur në krizë Luftëtarin. Vendi i parafundit në renditje i bën të rrezikuar, ndaj edhe kthesa është domosdoshmëri. Drejtori sportiv mundohet që të rrisë moralin e lojtarëve, duke u shfaqur besimplotë para përballjes me Teutën.

artur dadaj

Edhe pse e vlerëson kundërshtarin, Artur Dadaj thekson se pikët janë detyrim në mes të Gjirokastrës. “Teuta është skuadër për t’u respektuar dhe vlerësuar. Ne kemi objektivin tonë ashtu si edhe kundërshtari. Fitorja në shtëpi është synimi i vetëm. Edhe pse përballë kemi një ekip që po pretendon titullin, mundësitë i kemi.

Lojtarët tanë me atë ç’kanë treguar në ndeshjet e fundit, pavarësisht rezultateve negative meritojnë përgëzime për shpirtin e garës dhe sakrificës. Fati s’ka qenë me ne, por do vijë dita që do të na buzëqeshë”, kështu u shpreh fillimisht ai gjatë prononcimit të dhënë për “Panorama Sport”. U ndal edhe te mungesat, ndërsa përballë durrsakëve duhet të bëhen llogaritë pa kapitenin Donald Rrapo të skualifikuar dhe Aurel Demon të dëmtuar.

luftetari

Në këtë listë përfshihet edhe Realdo Fili, që ndryshe nga dy të tjerët është i penalizuar nga klubi dhe po stërvitet me të rinjtë e Luftëtarit. “Fili është lojtar cilësor dhe profesionist, por i duhet të jetë i tillë në çdo aspekt. Penalizimi i tij erdhi për sjellje të gabuar ndaj tifozëve dhe derisa të jetë në rregull në aspektin sportiv, do stërvitet me ekipin e 19-vjeçarëve me afat kohor të paparacaktuar”, përfundoi Dadaj.

PËRGATITJET – Skuadra ka vijuar përgatitjet në Dervician edhe dje. Angazhimi ka qenë maksimal dhe grupi disi më i plotë. Mesfushori Donaldo Açka nuk ka qenë as dje në fushë. Dëmtimi që pësoi kundër Partizanit ka bërë që stafi të mos e rrezikojë dhe japë disa ditë pushim. Megjithatë, gjasat janë që deri të shtunën të jetë gati.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"