Premtimi i zv.presidentit: Luftëtari nuk do të zhgënjejë, këtë vit synojmë Kupat e Europës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2017 | 17:11

Premtimi i zv.presidentit: Luftëtari nuk do të zhgënjejë, këtë vit synojmë Kupat e Europës

“Luftëtari i sezonit të ri do të jetë konkurrues dhe i aftë për të përballuar çdo kundërshtar. Çelësi i suksesit të Luftëtarit, pa bujë dhe zhurmë në këtë merkato vere, është ruajtja e bërthamës së skuadrës së sezonit të fundit. Në organikën e Luftëtarit ka lojtarë kualitativë, të cilët me paraqitjen e shfaqur në kampionatin e fundit mahnitën sportdashësit në gjithë vendin.

Artur Dadaj dhe Grigor Tavo, dy financuesit e Luftëtarit

Artur Dadaj dhe Grigor Tavo, dy financuesit e Luftëtarit

Nëse Luftëtarin e etiketuan si “hirushja” e kampionatit të fundit, në garën e pritshme, që starton në 9 shtator, ekipi ynë do të dijë të përligjë dhe justifikojë punën e nisur një sezon e gjysmë më parë”. Kështu e nisi prononcimin e tij për “Panorama Sport” zv.presidenti i Luftëtarit, Artur Dade. Ndonëse puna për sezonin e ri ka nisur disi me vonesë, drejtuesit gjirokastritë janë optimistë dhe sipas tyre Luftëtari është i prirur për të ecur në korsinë e duhur.

“Me stafin e ri teknik, i cili do të punojë i qetë pa ndikime të jashtme, Luftëtari jo vetëm që nuk do ta diskutojë mbijetesën, përkundrazi do të synojë Kupat e Europës. Trajneri Luis Fernandez do të vendosë pikat mbi “i” sa u takon prurjeve të reja. Në ditët e qëndrimit në Greqi do të afrohen dhe dy futbollistë të huaj. Një qendërmbrojtës dhe një mesfushor do t’i bashkohen ekipit në Veria.

Luftetari

Qendërmbrojtësi vjen nga Argjentina, ndërsa mesfushori nga Uruguai, emrat e të cilëve s’mund t’i bëj të ditur për momentin. Më duhet të pohoj se Luftëtari nuk do të zhgënjejë askënd”, përfundoi Dade. Ekipi gjirokastrit dje është zhvendosur në Greqi për fazën përgatitore.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"