Premtimi i talentit të Teutës: Do të jetë viti im…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2018 | 21:27

Premtimi i talentit të Teutës: Do të jetë viti im…

Jurgen Peqini e ndien veten gati për të rivalizuar me shokët e skuadrës për një vend në formacionin e Teutës në edicionin e ri. Pas eksperiencës së fituar, sulmuesi elbasanas beson se ky do të jetë viti i tij. Tre gola në 211 minuta në 6 ndeshje të aktivizuara, prej të cilave vetëm një si titullar, janë statistika të mira për të riun sa i përket sezonit të fundit. Dje, në një intervistë për “Panorama Sport”, Peqini foli për objektivat që ka në këtë edicion.

jurgenpeqini

Si e vlerësoni sezonin që kaloi, ku nuk patët shumë minuta?

Të jem i sinqertë prisja të merrja më tepër minuta, megjithatë ai ishte sezoni im i parë në Superiore. Nuk mora aq sa duhej, por mendoj se për aq sa m’u dha mundësia, tregova atë që një sulmues di të bëjë: të shënoj. Shumë pak minuta dhe 3 gola, jam i kënaqur.

Tani keni fituar më tepër eksperiencë, çfarë prisni nga ky sezon?

Normalisht, viti i parë është shumë i vështirë, sidomos për një djalë të ri, sepse unë vija nga Kategoria e Parë dhe normalisht në Superiore luajnë lojtarët më të mirë dhe ka shumë konkurrencë. Tani jam më i pjekur dhe Teuta më ka rritur shumë profesionalisht. Besoj se ky do të jetë viti im.

peqini

Te Teuta ka pasur shumë ndryshime, si i shikoni lëvizjet në merkato?

Deri tani ka pasur shumë lëvizje në dalje, por edhe afrimet kanë qenë cilësore. Sa u përket afrimeve të reja, njoh vetëm mesfushorin Sherif Kallaku. Kemi luajtur bashkë te Kombëtarja U19, është një lojtar me cilësi shumë të mira dhe mendoj se na nevojitej një fantazist si ai.

Me çfarë objektivi mendoni se do të futet Teuta këtë sezon?

Është ende herët të flasim për objektiva, pasi akoma nuk kemi filluar me përgatitjet. Sidoqoftë, Teuta në vitet e fundit objektiv ka pasur pjesëmarrjen në kompeticionet europiane dhe besoj se ky do të jetë synimi jonë. Shpresoj dhe besoj shumë se do të kemi një ekip shumë kompetitiv për të rivalizuar denjësisht me çdo ekip.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"