Premtimi i Hoxhës: Canka “ujk”, por e mposht me Besën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2022 | 22:41

Premtimi i Hoxhës: Canka “ujk”, por e mposht me Besën

Besa nuk gjen rehat. Në momentin që gjeti “bomberin”, e humb. Një karton që mori pas dygolëshit me Burrelin, i kushton skualifikimin. Jemi duke folur për Flavio Meçjen, sulmuesin 20-vjeçar që nuk mund të luajë kundër Lushnjës. Ai ka plotësuar numrin 4 të të verdhëve dhe rrjedhimisht është i pezulluar.

edmond hoxha

Udhëtojnë në transfertë këtë fundjavë dhe vështirësia shtohet, e megjithatë verdhezinjtë nuk kanë në plan që të dorëzohen. Ata janë gati që të bëjnë surprizën, ndonëse e dinë që e lehtë nuk do të jetë në “Roza Haxhiu”. Gjithsesi, për golat këtë herë do të mendojë Edmond Hoxha. Ky i fundit e “vuan” mungesën e partnerit në sulm, pasi rrëfen që në këto javë është marrë vesh me sy mbyllur.

DUELI
Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, kavajasi flet edhe për Mikel Cankën, që e gjen si kundërshtar (gjithnjë nëse rikuperohet). Ai nuk i kursen elozhet dhe me modesti pohon se ka mësuar shumë prej lushnjarit, e megjithatë këtë herë dëshiron ta mundë. “Lushnja nuk është ajo e fazës së parë, të cilën e mundëm jo me shumë vështirësi. Tashmë verdhejeshilët janë rritur e kanë ndryshuar shumë. Shto këtu që ne kishim në ekip liderin e tyre, Canka, që i hipnotizonte (qesh). Jam munduar të përfitoj nga përvoja e tij. Canka përtej viteve, mungesën e gjunjëve e kompenson me tru dhe mbetet një ‘ujk’ që të kafshon kur s’e pret. Uroj të mos luajë kundër nesh. Lagunarët kanë javë që fitojnë. Këtë e dimë shumë mirë, ndaj po përgatitemi fort. Ndërkohë, morëm një lajm jo të mirë, që homologu im në sulm, Meçja, kishte plotësuar numrin e kartonëve dhe nuk do mund të luajë. Kemi gjetur kiminë mes nesh dhe merremi vesh tashmë me sy mbyllur”, u shpreh 24-vjeçari i sulmit.

SYNIMI Besa do të tentojë të mos dalë pa pikë nga Lushnja. Ekipi moralisht është lart dhe ndeshje pas ndeshjeje loja është rritur. “Besoj i keni parë lojërat tona përtej rezultateve. Në fakt, disa herë kemi gabuar vetë, jo për meritë të kundërshtarit. Tashmë i gjithë grupi vrapon dhe ka një sedër vërtet mbresëlënëse. Luajmë për vete jo për presidentin e stafin, pasi secili prej nesh kërkon të bëjë hapa në karrierë. Kështu që, në Lushnjë do të tentojmë, pse jo, të bëjmë surprizën. I kemi mundësitë, ambicien dhe egon për ta mundësuar këtë. Kuptohet, jo gjithçka do të jetë në dorën tonë, pasi e thashë më lart, Lushnja ka ndryshuar, por ne jemi Besa dhe fanella jonë ka peshë të rëndë”, përfundoi Hoxha.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"