Premtime dhe shumë para, Besa feston 93-vjetorin e klubit. Bizhdili: Ngjitemi në Superiore!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2018 | 20:01

Premtime dhe shumë para, Besa feston 93-vjetorin e klubit. Bizhdili: Ngjitemi në Superiore!

Data 25 tetor shënoi 93-vjetorin e themelimit të Besës, por meqë të shtunën verdhezinjtë luajtën në Rrogozhinë, kjo ceremoni u zhvillua ditën e djeshme. Në këtë përvjetor munguan mjaft nga idhujt e Besës ndër vite për arsye madhore ku mes tyre disa nuk jetojnë më, ndërsa disa yje të tjerë u janë bashkuar fëmijëve në Europë. Në prezencën e kryetarit të Bashkisë, Isa Sakja dhe presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili, dhjetëra ish-lojtarë të shquar të Besës, por edhe ishtrajnerë sollën kujtimet e tyre.

besa bizhdili sakja

KRYEBASHKIAKU

Në fjalën e tij, Sakaj ka premtuar rikthimin e Besës këtë sezon në Superiore dhe si asnjë vit më parë aktualisht bashkia këtë sezon po mbështet Besën në disa drejtime. “Së pari nderim, mirënjohje e respekt çdo familje kavajase që ndër dekada nxori plejada të tëra lojtarësh që nderuan Besën dhe disa edhe Shqipërinë. Nderim për ata korifenj të futbollit kavajas që nuk jetojnë më, për gjithçka dhanë për fanellën verdhezi. Duke u kthyer tek aktualiteti, bashkia ka kontribuar me likuidimin e pagave çdo muaj, ka sistemuar në një resort luksoz lojtarët jabanxhinj. Së shpejti do të sistemojmë akademinë sepse na ka bërë krenarë Besa U-17 vjet e po na bën krenarë edhe sivjet ai grup”, tha kryebashkiaku.

BIZHDILI

Më pas, presidenti Nexhat Bizhdili deklaroi: “Po mbushen 17 vite që drejtoj e kontribuoj për Besën, duke sjellë Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën. Falënderoj bashkinë për kontributin në mbështetje të ekipit. Dëgjojmë shpesh se duhen më shumë lojtarë kavajas në ekip, por po ju sqaroj se vetëm Lushkja e Krasniqi janë kavajas që luajnë jashtë Kavaje. Talentet e rinj të U-17 që vjet i fituan të gjitha trofetë, 6 prej tyre tashmë janë pjesë e Besës, madje kanë kontrata. Premtoj se ky do të jetë viti i rikthimit të Besës në Superiore. Meqë zoti Sakja është këtu, ia kërkoj publikisht shtimin e kontributit të bashkisë te Besa pavarësisht se ai e ka ngritur në 145 milionë”, tha Bizhdili.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"