Premioja u çua dëm në Vlorë, Gvozdenoviç kërkon përqendrim maksimal: Superiorja në dorën tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 11, 2023 | 10:00

Premioja u çua dëm në Vlorë, Gvozdenoviç kërkon përqendrim maksimal: Superiorja në dorën tonë

Skënderbeu merr frymë lirisht dhe mund të gëzojë vendin e parë momental pas dy barazimeve në dy ndeshjet kyçe për kreun e renditjes. Pasi korçarët humbën shansin për të dalë me pikët e plota nga Vlora dhe mbi të gjitha çuan dëm premion e caktuar nga klubi, vetëm pas 24 orësh ka mbërritur nga Cërriku lajmi i mirë. Lajm që bardhekuqtë mbajnë vendin e parë pas barazimit të Dinamos dhe ruajnë distancën me ndjekësit më të afërt.

gvozdenovic

Gjithsesi diçka e tillë është përcjellë me ankth dhe emocion për bardhekuqtë. Pas barazimit pa gola të marrë në Vlorë, Skënderbeu një ditë më pas kanë qenë gjithë sy e veshë nga ndeshja e Cërrikut atje ku Dinamo kishte mundësinë për të marrë kreun.

Me përfundimin e ndeshjes në barazim, që ka mbajtur për 90 minuta bardhekuqtë të ngujuar te radio, ka marrë jetë festa. Festë e cila i lejonte korçarët që të mbanin kreun e klasifikimit dhe të jenë të qetë për javët në vazhdim.

FINALET- Përtej festës dhe gëzimit për mbajtjen e vendit të parë, ka qenë trajneri Ivan Gvozdenoviç ai që ka kthyer me këmbë në tokë korçarët.

Në seancën e djeshme stërvitore, me nisjen e përgatitjeve për ndeshjen e radhës ndaj Korabit, trajneri ka kërkuar nga të tijt që të lenë pas euforinë dhe t’i rikthehen punës për të vijuar me finalet e mbetura me qëllim që objektivi kryesor të realizohet pa asnjë vuajtje. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, Gvozdenoviç ka dhënë mesazhin e qartë për të tijt.

Në prononcimin e shkurtër për gazetën, numri një i pankinës bardhekuqe nuk ka dashur të ndalet te ndeshjet e javës që u lanë pas, por ka kërkuar nga lojtarët seriozitet, përqendrim dhe vlerësim maksimal për ndeshjen e radhës.

“Kemi mbyllur një javë të ngarkuar dhe mjaft delikate dhe për fat të mirë jemi sërish të parët në renditje. Nuk dua të përsëris fjalët e thëna pas ndeshjes me Flamurtarin, pasi është koha që të lemë pas atë takim dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës. Fati deshi që të jemi sërish ne në kryesimin e kampionatit dhe tani duhet të bëjmë gjithçka mirë. Sezoni është në këmbët tona dhe vetë ne kemi në dorë fatin e klubit për ngjitjen direkt në Superiore. Ndaj të lemë pas festën dhe gëzimin për t’u përqendruar në maksimum për ndeshjen e kësaj fundjave. Lojtarëve u kam kërkuar seriozitet për të katër ndeshjet e mbetura, që për ne do të jenë katër finale. Gjithçka është në dorën tonë, ndaj duhet t’ia dalim”, mbylli prononcimin e tij trajneri i Skënderbeut Ivan Gvozdenoviç.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"