Premio për “pokerin”, administratori i AF Luftëtarit: Në Peqin konfirmuam forcën tonë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 18, 2022 | 11:40

Premio për “pokerin”, administratori i AF Luftëtarit: Në Peqin konfirmuam forcën tonë!

AF Luftëtari u kthye te fitorja, pas atij barazimi zhgënjyes 2-2 në shtëpi me Albpetrolit. Bluzinjtë mundën 1-4 Shkumbinin në transfertë dhe u konfirmuan si të pathyeshëm. Janë 6 javë që nuk e njohin humbjen (me 5 fitore dhe 1 barazim), ecuri që i rendit të 4-it në renditje dhe brenda objektivit madhor. Për Fotis Kristidhi, “pokeri” në Peqin nuk ishte një rastësi. Për “Panorama Sport”, administratori thotë:

AF LUFTETARI

“E vlerësuam ndeshjen si çdo ndeshje, edhe ajo shkarje e këmbës që na ndodhi me Albpetrolin na vuri në pozita pune. E kishim vlerësuar kundërshtarin pasi luanim në fushën kundërshtare.

Besoj se u shprehëm mirë në tre komponentët e lojës, si në mbrojtje, mesfushë dhe sulm.

Këtë e treguam me katër golat e shënuar dhe një të pësuar. Ndërprerja e kampionatit është më shumë se një lajm i mirë për Kristidhin, sipas të cilit është koha për rikuperimin e të dëmtuarve dhe harmonizimit të ekipit.

KRISTIDHI

“Periudha e ndërprerjes do na bëjë mirë, pasi futbollistë si Barka dhe Gaba kanë kohën e mjaftueshme për t’u rikuperuar.

Ndeshja e radhës në 21 dhjetor me Labërinë ka rëndësinë e saj, pasi është kundërshtari ynë, por në fushë ekipi ynë do të hyjë për fitore.

E kemi thënë dhe rithënë se objektivi ynë është renditja mes pesë më të mirave të grupit”, përfundoi Kristidhi. Sakaq, trepikëshi i fundit nuk ka kaluar pa shpërblim.

100 mijë lekë të vjetër kanë marrë futbollistët pas fitores 1-4 ndaj Shkumbinit, përballje e vlefshme kjo për javën e shtatë të Kategorisë së Dytë.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"