Premio për fitore në dy ndeshjet e radhës te Lushnja, Canka: Shansi i fundit, pikët janë detyrim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 11, 2020 | 13:21

Premio për fitore në dy ndeshjet e radhës te Lushnja, Canka: Shansi i fundit, pikët janë detyrim

Lushnja nuk ka në plan që të dorëzohet. Kur kanë mbetur edhe 180 minuta nga fundi i këtij kampionati, vetëm vendi i dytë u jep mundësi që të shpresojnë ende te ngjitja. Rruga nuk do të jetë e lehtë assesi, e megjithatë verdhejeshilët janë më të karikuar se kurrë. Pikërisht sot udhëtojnë në Shijak, atje ku do t’i presë Besa. Një ekip pa objektiva, por që kërkon kujdes. Ilir Gjyla është më i qetë para këtij 90- minutëshi, pasi i kthehen tre titullarë nga skualifikimi: mesfushori Baze dhe dyshja e sulmit Canka-Mezini. Por llogaritë në formacion do të bëhen pa mesfushorin e krahut të djathtë, Endrien Magani.apolonia-lushnja

Lushnja rivalizon Pogradecin për të mbyllur kampionatin në vendin e dytë dhe shanset për të luajtur ndeshjet shtesë në fund të sezonit janë reale. Këtë e pohon për “Panorama Sport” edhe kapiteni Mikel Canka, i cili deklaron: “Ekipi do t’i shfrytëzojë në maksimum dy ndeshjet e mbetura të kampionatit. Janë mundësitë për të kapur vendin e dytë. Jemi përgatitur për të fituar ndeshjen e nesërme (sotme) me Besën. Është e qartë që Lushnja alternativë të vetme ka fitoren.

canka

Do të luajmë në fushë asnjanëse dhe përballë një kundërshtari që nuk ka objektiva. Por ndeshja fitohet në fushë dhe besojmë se me kujdes i marrim pikët. Ekipi është në objektiv dhe do të shpresojmë deri në fund. E megjithatë, t’i marrim gjërat me radhë. Të kalojmë Besën e pastaj të luajmë për gjithçka në Pogradec”.

Një motiv më shumë për t’ia dalë në dy javët e mbetura që zhvillohen jashtë fushë janë premiot. Për çdo transfertë Këshilli Bashkiak akordon 150 mijë lekë të vjetër shpërblim, ndaj lojtarët do të bëjnë çmos që t’i marrin këto 6 pikë.

ALBAN ALUSHI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"