Premio për Dinamon, Allmuça: Është një sfidë speciale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2018 | 15:22

Premio për Dinamon, Allmuça: Është një sfidë speciale

Dinamo luan sot një transfertë mjaft të vështirë kundër Vllaznisë së Hasan Likës. Të dyja ekipet kërkojnë 3 pikët me qëllim që t’i shkëputen njëra-tjetrës. Kryeqytetasit shkojnë në Shkodër me një qëllim të vetëm, marrjen e një rezultati pozitiv. Para klasikes së futbollit shqiptar është trajneri i Dinamos, Igli Allmuça, i cili në një prononcim për “Panorama Sport” vlerëson këtë takim, ku e thekson se në një përballje të tillë tregohen vlerat dhe për çdo lojtar është vitrinë e mirë, por në aspektin sportiv është thjesht një ndeshje radhe.

ALLMUCA-658x370

 Allmuça “Luajmë një transfertë jo të lehtë ndaj Vllaznisë në Shkodër, takim të cilin e kemi vlerësuar sa duhet. Nuk e kemi mbivlerësuar, pasi nëse do ishte ashtu mund të ndikonte edhe negativisht te ne. Për ne është një ndeshje radhe në aspektin sportiv, pasi pikët janë të njëjta ndaj kujtdo. Ndërkaq, në aspektin historik dhe traditës që kanë këto dy klube futbolli është gjë tjetër, pasi është një ndeshje klasike në futbollin shqiptar, luajnë dy klube me shumë traditë, e me shumë trofe në kurriz. Ekipi dhe futbollistët nuk kanë ndonjë motivim ekstra, pra nuk janë të mbingarkuara në aspektin psikologjik. Ata e dinë rëndësinë e çdo ndeshjeje dhe ne hyjmë në fushë vetëm për tri pikët. Kjo është një ndeshje vitrinë për lojtarët, për vetë tifozëritë dhe imazhin që përcjell ky takim, ndaj dhe unë u kam kërkuar që ata të jenë vetvetja e të japin maksimumin, nëse e bëjnë këtë unë besoj që do dalim me kokën lart nga Shkodra. Sa i përket situatës dhe gjendjes në ekip, çdo gjë është në rregull, jemi përgatitur mirë dhe nuk kemi mungesa”, përfundoi trajneri Igli Allmuça.

Vllaznia Dinamo

Premio Kryeqytetasit kanë kryer stërvitjen e fundit në Pezë Helmës në Tiranë dhe kanë udhëtuar dje pasdite drejt Shkodrës ku bënë dhe grumbullimin. Trajneri Allmuça ka dhënë këshillat e fundit për futbollistët e tij, të cilët janë shumë të karikuar për përballjen me Vllazninë. Një motivim ekstra për këtë ndeshje është dhënë edhe nga sponsori Lutfi Nuri, i cili ka vendosur një premio të majme për ekipin në rast barazimi ose fitoreje në ndeshjen ndaj Vllaznisë. Ndeshja do të luhet sot në orën 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"