Premio nga çdo anë, flet mbrojtësi i Tërbunit: Shënon Hysa ndaj Apolonisë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2022 | 13:59

Premio nga çdo anë, flet mbrojtësi i Tërbunit: Shënon Hysa ndaj Apolonisë…

Tjetër premio për Tërbunin. Pas saj që premtoi kryebashkiaku Gjon Gjonaj, një tjetër pritet të vijë nga Amerika.

TERBUNI 1

Është ish-futbollisti i vitit ‘85, Ferdinand Vata, që ka vendosur shpërblim të majtë në rast fitoreje me Apoloninë. Për tifozët sakaq, ka menduar ish-presidenti Petrit Syla.

Ai ka vendosur një autobus në dispozicion. Për t’i dhënë zemër ekipit para këtij 90-minutëshi, mendon qendërmbrojtësi Vilson Lila.

“Kemi punuar intensivisht dhe me dëshirë të madhe këtë javë dhe ndihemi gati.

Jemi të qetë nga ana psikologjike dhe në Fier udhëtojmë me idenë e qartë për të finalizuar me sukses mundin e një viti të tërë. Respektojmë kundërshtarin, por do ta mundim.

Barazimi për ne nuk vlen, nëse duam që të luajmë edhe dy finale të tjera. Do kemi në krahë tifozët dhe për ta do ia dalim mirë. Neve nuk na mungon asgjë për ta kaluar këtë sfidë.

Cilësia në organikë nuk na mungon nga porta e deri në sulm. Prapavija është një blind. Kemi pësuar më pak gola se asnjë ekip tjetër, por edhe kemi shënuar më pak.

Kemi sulmues me eksperiencë në ekip, por nuk po mund të finalizojmë gola gjatë ndeshjeve. Sot (nesër) kam besim se Hysa do të arrijë të zhbllokojë rezultatin që në pjesën e parë, pasi gëzon formë të mirë”, përfundoi Lila.

DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"