“Prej tij fituam ndeshjet me Hungarinë”, Lala për çështjen Reja-Broja: Të isha unë trajner…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 17, 2021 | 18:53

“Prej tij fituam ndeshjet me Hungarinë”, Lala për çështjen Reja-Broja: Të isha unë trajner…

Altin Lala, ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, ka analizuar në “Sport News” në “News 24” shortin e Ligës së Kombeve dhe kundërshtarët që u kanë rënë kuqezinjve. Ai mendon se Shqipëria ka shanse reale në këtë grup, ndërsa ka kujtuar momentin kur vetë i ka shënuar Rusisë.

bandicam 2021-12-17 17-40-17-157

Shorti pozitiv – “Kështu e mendoj edhe unë. Po ta shohim, të tre skuadrat janë forta, me të tre ato mund të fitosh jashtë e brenda, por edhe të humbasësh. Grupi është pothuajse me skuadra aty-aty me njëra-tjetrën, nuk ka diferenca të mëdha sipas mendimit tim. Rusinë mund ta shohim pak më lart por është një ekip që po të kesh një ditë të mirë mund të fitosh edhe me ta jashtë dhe brenda”.

Objektivi – “Presidenti është kërkues, trajneri ul pak ritmin për të qenë më shumë me këmbë në tokë. Por varet si do të jetë grupi ynë në atë periudhë, kjo është e rëndësishme. Nëse të gjithë janë në formë, aktivizohen në skuadrat e tyre. Janë ndeshje për t’u luajtur. Edhe Islanda ka dalë disa herë në Europianë dhe Botërorë, edhe ata janë një shtet i vogël, kanë treguar në vitet e fundit që janë në gjendje të bëjnë një skuadër e grup të fortë. Izraeli po ashtu. Por është grup i mirë, pastaj në fushë duhet të japësh rendimentin e maksimumin. Shpresojmë të kemi një edicion të mirë”.

Goli me Rusinë – “Shyqyr që nuk kishte VAR. (qesh( Le të themi se te goli e kapa topin me gjysmë shpatull. Nuk e di, ka qenë edhe errësirë e nuk dukej mirë (qesh). Por ishte një atmosferë fantastike në Shkodër, tifozeri e zjarrtë. Në ato momente na barazuan, filluan të na bënin presion, por shyqyr doli ai rast. Nga ato pak gola që kam bërë, ky është ndër më të rëndësishmit. Edh në Rusi kur kemi luajtur. kemi pasur aty shanse pasi barazuam e mund të shkonim në avantazh. Kam pasur edhe unë shans për të shënuar e kaluar në 2-1 dhe në fund humbëm 4-1. Rusia ka një tipar të çuditshëm, kanë ditë kur të shënojnë 5-6 gola e ka ditë ku mund t’i mposhtësh. Do i kemi edhe ne shanset tona kundër Rusisë, Islandës e Izraelit, gjithçka është e mundur në këtë grup, është i përshtatshëm. Euro 2016 ishte diçka jashtëzakonisht e madhe për të gjithë futbollin shqiptar, edhe për mua që isha më shumë si tifoz. Kjo atmosferë, që ta përjetojmë edhe një herë tjetër besoj se do të ishte e madhe. Shpresojmë ta arrijmë, Liga e Kombeve shërben për të, e pse të mos e synojmë që të kualifikohemi”, tha Lala.

Situata mes Rejës dhe Brojës – “Trajneri është me eksperiencë dhe duhet të dijë të menaxhojë skuadrën. Ai di ta menaxhojë, unë mendoj që natyrisht kur vijnë elementë të rinj duhet t’u japësh shansin lojtarëve. Ai duhet të bazohet gjithmonë te skuadrat ku aktivizohen, nuk ke kohë me kombëtaren të përgatitesh për shumë kohë, por nëse je në formë me klubin atëherë shumica duhet të luajnë në formacion.

Reja ka eksperiencë shumë të madhe në futboll dhe kërkon të jetë i suksesshëm, edhe pse temën e Brojës e kam cekur pak që është sulmuesi më i mirë që kemi dhe duhet të jetë në formacion. Sjellja e mirë apo e keqe, nuk mund ta them, se e kam takuar vetëm një herë dhe më është dukur djalë i qetë, pavarësisht nëse ka të tjera sjellje në stërvitje apo ndeshje. Nuk është shumë aktivi në lojën kundër topit, por me aftësitë që ka përpara, për mendimin tim është lojtar që duhet të aktivizohet.

Me sa duket trajneri vë në dyshim këtë gjë dhe shpeshherë e ka lënë jashtë. Jam i mendimit që ai, çdo lojtar ka pikat e forta në vetvete dhe të dobëtat. Faza mbrojtëse nuk është kualiteti i tij më i lartë, por në fazën sulmuese, po nuk shënove, nuk fiton. Në dy ndeshjet me Hungarinë me golat e Brojës fituam, kjo flet për Brojën. Të isha unë trajner, do e kisha lënë Brojën të luante, nëse i duhet të mbrojë diçka, do e ndërroja. Mund të fusja Brojën sepse si po shënon tani, ai është prezent në një skuadër jo shumë të fortë dhe në fazën ofensive për mendimin tim cilësitë e tij janë shumë të mira,

Ai është pjesë e grupit, nuk ma merr mendja të dalë “kontrapedal”. Ai duket djalë i mirë, natyrisht mund të ketë barriera me gjuhën shqipe, edhe me grupin mund të ambientohet më mirë. Nuk jam aty dhe i shohim nga jashtë, por nga ata djem që janë me eksperiencë duhet ta ndihmojnë të futet në grup. T’i japin mbështetje që të ndjejë veten më të sigurt. Është një armë e fortë, nuk është ideja për të ndërtuar skuadrën për Brojën por të vendosësh në fushë lojtarët më në formë e produktiv.

Ndonjëherë edhe ne shqiptarët reagojmë, nëse nuk luajmë një ndeshje, lëmë çantën e largohemi, e marrim personale. Edhe kjo nuk duhet të ndodhë, futbolli luhet në grup e duhet të përshtatesh, pavarësisht kualiteteve. Të gjithë skuadrat e mëdha kanë treguar që janë grup, se ndryshe nuk mund të jesh i suksesshëm. Mund të marr si shembull edhe Gjermaninë. Gjermania nuk është se ka pasur gjithmonë lojtarët më të mirë, por grupin, ndaj ka funksionuar gjithmonë. Ky është tregues jashtëzakonisht i rëndësishëm. Nëse te Shqipëria do të jenë të gjithë njëri për tjetrin, duhet të përshtatesh, them që ata me eksperiencë duhet të ndihmojnë të rinjtë. Kur del në fushë, të gjithë veshin fanellën e kombëtares e luftojnë për të e flamurin. Nëse lufton për të, duhet të japësh gjithçka çfarë ke, jo të shohësh egon tënde, por suksesin e skuadrës, kombëtares e gjithë shqiptarëve”.

Rinovimi i Rejas – “Nëse është i suksesshëm varet edhe nga dëshira. Nëse do të vazhdojë të jetë në pankinë se ka moshë, nëse ka energji mund të vazhdojë”.

E ardhmja e Shqipërisë – “Shpresojmë, ka talente, gjithmonë e më tepër dalin si brenda dhe jashtë vendit. Shpresojmë të kemi një Brojë tjetër në mesfushë, në të gjithë pozicionet, të jemi më stabël. Edicioni i fundit ishte shumë pozitiv, për fat të keq nuk ia dolëm me Poloninë. Por do të ishte e vështirë të shkonim në Botëror me play-off, po të shohësh sistemin. Gjithsesi, na u dha një ndjenjë pozitive. Shpresojmë të dalin sa më shumë lojtarë të rinj, shpresojmë të dalin e zhvillohen, për të arritur të dalim në turne. Duhet të japim maksimumin të mos ngelet vetëm një Europian në histori. Në përgjithësi jam i kënaqur me ecurinë e kombëtares”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"