Prej një jave në Durrës, mbrojtësi i Teutës: Drejtuesit nuk na trysnojnë, Europa është detyrim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2020 | 22:32

Prej një jave në Durrës, mbrojtësi i Teutës: Drejtuesit nuk na trysnojnë, Europa është detyrim

Blagoja Todorovski është kthyer në Durrës prej një jave, por karantinimit nuk i shpëtoi dot. Maqedonasi ndien keqardhje që nuk ka nisur stërvitjen me grupin, e megjithatë paralajmëron se do të japë maksimumin që ditën e parë që do të bashkohet me lojtarët e tjerë. Në një rrëfim për “Panorama Sport” mesfushori është i lumtur që FSHF-ja vendosi për rifillimin e kampionatit, ndonëse e pranon që koha nuk është e mjaftueshme për të qenë plotësisht gati për rifillimin e sezonit. Objektivat e durrsakëve nuk ndryshojnë, megjithatë 34-vjeçari është i qetë. Ai saktëson se drejtuesit nuk i ushtrojnë asnjë presion, ndaj do ta kenë më të thjeshtë që t’ia dalin.
blajigo todorovski

Blagoja, prej një jave jeni në Durrës. Si mundët të vinit?
Po, është e vërtetë. Prej një jave jam në Durrës, por me ekipin nuk jam bashkuar. Më duhet të qëndroj 14 ditë në izolim për të zbatuar rregullat në këtë kohë pandemie. Gjatë gjithë kësaj periudhe kam komunikuar me shefin e klubit dhe kështu u bë e mundur ardhja ime.

Edhe pse ju nuk jeni, më në fund nisën edhe stërvitjet në grup…
Ky është lajmi më i mirë i mundshëm. Gëzohem që u vendos për rifillimin e stërvitjeve në grup, pas asaj shkëputjeje të stërzgjatur. Kjo është e vetmja mënyrë për t’u përgatitur si duhet për javët e mbetura. Gjatë kësaj periudhe na është dashur të stërvitemi në kushte jonormale për një futbollist. Tani e në vazhdim shpresoj të ushtrohemi bashkë e të jemi gati për 10 ndeshjet që do të luajmë.

Është vendosur që më 3 qershor të luhet në fushë. Ju çfarë mendoni për këtë?
Kampionati duhej të niste. Ky është një lajm shumë i mirë për të gjithë, pasi na ka munguar fusha dhe loja e futbollit. Shpresoj që realisht në datën 3 të luhet futboll, pasi nuk do kishte kuptim të jepeshin verdiktet pa u luajtur.

Si është gjendja e Todorovskit pas izolimit?
Të them të drejtën, gjendja nuk mund të jetë në 100%, pasi dihet që jemi stërvitur në kushte karantinimi. Sapo të rinis stërvitjen me grupin, shpresoj shumë që unë të kap ritmin dhe premtoj se do të jap maksimumin.

Objektivi i durrsakëve është Europa, mendoni se do t’ia dilni?
Objektivat janë të qartë për një klub si Teuta. Dua të them se drejtuesit nuk na kanë vendosur aspak nën presion. Por është fanella e rëndë që ka klubi dhe historia e tij që ta imponojnë këtë. Kështu që, Kupat e Europës janë një detyrim për ne. Të gjithë duhet të punojmë fort për këtë. Dëshira ime do të ishte e madhe që në Shqipëri të fitoj edhe ndonjë trofe, pse jo, Kupën e Shqipërisë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"