Prej më shumë se një dekade pa shtepi, drejtori Olsi Rama: Ja kur pritet të jetë gati kompleksi i Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Gusht 12, 2020 | 20:23


Prej më shumë se një dekade pa shtepi, drejtori Olsi Rama: Ja kur pritet të jetë gati kompleksi i Partizanit

Partizani prej më shumë se një dekade po vuan mungesën e pasjes në pronësi të një kompleksi stërvitor, ose më thjesht, të një fushe stërvitore me kushte optimale.

OLSI RAMA

Prej katër vitesh të kuqtë kanë nisur ndërtimin e shtëpisë së re, që brenda saj do të ketë edhe një stadium me kapacitet 4-5 mijë vende, për të zhvilluar ndeshjet si pritës. Afatet e dorëzimit të shtëpisë së re të Partizanit janë shkelur disa herë, ku i fundit kishte të bënte me fillimin e sezonit të ri, pasi parashikohej që Partizani ndeshjen e parë si pritës ta zhvillonte në stadiumin e ri. Ky afat është shtyrë sërish, madje drejtori i përgjithshëm Olsi Rama në prezantimin e trajnerit Daja foli edhe për kompleksin, por e pranoi se për disa arsye nuk mund të japë datë ekzakte se kur do të jetë gati shtëpia e re e Partizanit.

Pjesa dërrmuese e punimeve janë kryer, ku sa i përket stadiumit ka mbetur vendosja e stolave të dy tribunave dhe shtrimi i tapetit të fushës dhe arredimi i pjesës së brendshme të godinës. Madje prezantimi i trajnerit Daja ishte menduar të zhvillohej në kompleksin e ri të klubit, por duke parë se aty akoma punohet, zyrtarizmi u bë në ambient e një hoteli në ish-Bllok, që është në pronësi të presidencës. Vonesat në përfundimin e punimeve kanë pasur të bëjnë me zgjidhjen e çështjes së pronave të një hapësire ku do të shtriheshin dy fushat stërvitore të këtij kompleksi.

DAJA RAMA

Ky ngërç mësohet se është zgjidhur dhe shumë shpejt pritet që ekipi të ketë në dorëzim një fushë stërvitore me bar natyral, që është edhe kërkesë parësore e trajnerit Ilir Daja. Në lidhje me punimet në kompleks dhe se kur do të jetë gati shtëpia e re e “demave”, në prezantimin e trajnerit Daja drejtori Olsi Rama u shpreh:

“Në fakt pritshmëritë i kishim që të ishte gati për në shtator, por ritmet janë ngadalësuar pak për shkak të pandemisë, megjithatë stërvitja në fushën me bar mund të nisë nga fundi i shtatorit. Kjo në fakt ishte edhe kërkesa e trajnerit Daja, që në vend të një sulmuesi që shënon 20 gola, donte një fushë me bar ku lojtarët të stërviten dhe të përmirësohen, ndaj e admiroj për këtë”.

PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com