“Prej janarit fillon një cikël i ri”, presidenti Bardhi: Dinamos po i jap formë, ekipi për notën 6

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2022 | 22:30

“Prej janarit fillon një cikël i ri”, presidenti Bardhi: Dinamos po i jap formë, ekipi për notën 6

Dinamo nuk është vetëm në kërkim të Superiores, por edhe të identitetit të saj si klub. Puna në kampin blu vazhdon paralelisht në të dyja këto drejtime, ku secili ka rëndësinë e vet.

bardhi dinamo

Skuadra kryeson bashkë me Flamurtarin pas 10 javësh kampionat, ndërsa në aspektin administrativ punët kanë ecur edhe më mirë. Ardian Bardhi paralajmëron se në janar nis një cikël i ri për blutë. Në një prononcim të dhënë enkas për “Panorama Sport”, presidenti thekson se me ndërtimin e selisë së re, po i jep këtij klubi formën që i takon.

DINAMO MERR FORMË

Ai është marrë më shumë me këtë pjesë deri tani, sepse e konsideron shumë të rëndësishme, duke ia lënë drejtimin sportiv 18 herë kampionëve të vendit, ortakut Kristjan Gjidodaj. “Unë e kam thënë gjithmonë se pjesa më e rëndësishme, bumi ynë i madh, është ndërtimi i kompleksit të ri në Arbanë, ku Dinamo do të ketë selinë e saj të paktën për 15 vjet.

Të gjitha planet dhe projektet tona për të ardhmen nuk kanë asnjë vlerë, nëse nuk kemi shtëpinë tonë. Pas një kohe të gjatë kjo është bërë e mundur dhe që nga janari për klubin do të nisë një cikël i ri. Dinamos po i jap formën që i takon këtij emri të madh. Jam marrë personalisht me këtë punë, sepse e gjykoj shumë të rëndësishme.

Nuk duam të vuajmë si vjet. Çfarë kuptimi ka të bëhen investime të mëdha, kur nuk dimë ku jemi dhe ku zgjohemi në mëngjes. Tani kemi kompleksin tonë, që është vërtet model. Jemi duke mbyllur punimet, ku veç fushave janë edhe hoteli, palestra, mensa etj. Nuk kam kursyer asgjë për shtëpinë e re dhe me ndihmën e FSHFsë do të kemi edhe fushat e nevojshme për stërvitje dhe për zhvillimin e ndeshjeve të moshave.

Është bërë një punë kolosale dhe jam i kënaqur që më në fund klubi do të jetë i mbledhur në selinë e tij, ku do të ketë edhe një staf administrativ të mirëfilltë. Është diçka e rëndësishme, jo vetëm për klubin dhe skuadrën e parë, por edhe për akademinë e bluve. Kam bindjen se punët do të shkojnë shumë mirë me stabilizimin në shtëpinë tonë, ndaj dhe them se për Dinamon nis një cikël i ri që prej janarit”, është shprehur fillimisht numri një i klubit dinamovit.

EKIPI, PËR NOTËN “6”

Më pas presidenti ka folur edhe për ecurinë e skuadrës në këto 10 javë. Nga nota që i vë ekipit kuptohet qartë se ai ka rezerva. “Tani e tutje do të jem më afër skuadrës, sepse siç e thashë, kam qenë i përqendruar te pjesa e kompleksit. Unë dua Superioren patjetër dhe shpresojmë ta arrijmë në fund të këtij kampionati.

Çfarë note i vendos Dinamos për këto 10 javë? Notën 6 mendoj dhe me ‘mik’ mbase… Ne kemi thënë se do të synojmë kthimin në elitë dhe të kemi gati për sezonin e ardhshëm 50-60% të organikës. Besoj se kjo skuadër e ka 50% të grupit që do të përfaqësohet në një nivel më të lartë. Mos harroni që kemi edhe Albion Markun, që e kemi huazuar te Teuta.

Shpresoj që skuadra të vijë duke u përmirësuar në vazhdim dhe ta arrijë objektivin”, ka theksuar presidenti Bardhi. I pyetur më tej për ndryshimet e mundshme që mund të pësojë skuadra në merkaton e janarit, presidenti i bluve ka dashur t’ia lërë gjithçka kohës, por ka pranuar se lëvizje do të ketë në të dy krahët, hyrje dhe dalje.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"