Preiti “rikthen” derbin, në tribunë për 5 lojtarë gjatë Tirana-Apolonia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2017 | 11:02

Preiti “rikthen” derbin, në tribunë për 5 lojtarë gjatë Tirana-Apolonia

Antonelo Preiti ishte i pranishëm në “Selman Stërmasi”. Veç dëshirës për të parë nga afër një ndeshje futbolli në kryeqytet, sigurisht që qëllimi ishte krejt tjetër. Burime të sigurta pranë drejtorit të Partizanit, zbulojnë për “Panorama Sport” se ai ishte në tribunë me një mision të caktuar.

Preiti

Italiani po vëzhgon disa talente dhe jo vetëm në kampin bardheblu, por edhe tek Apolonia. Pesë futbollistë ishin në “lupën” e krahut të djathtë të Luçiano Moxhit, konkretisht: Albi Doka, Grent Halili, Klisman Cake, Eljon Sota dhe Blerim Krasniqi. Sigurisht që te 24 kampionët e vendit mahniti Doka që dje ishte kthyer në një mbrojtës, por me sy të mirë pa edhe dy lojtarët e fierakëve, mbrojtësin e linjës dhe qendërsulmuesin, të cilët bën realisht paraqitje pozitive.

Nëse me Apoloninë ka shanse për ndonjë marrëveshje të mundshme me 19 dhe 20-vjeçarin, e vështirë duket që bardheblutë t’i japin shansin të kuqve që t’u afrohen talenteve të tyre dhe sidomos për lojtarin e linjës së djathtë, i cili është edhe “ylli” i ekipit. Gjithsesi, duhet thënë që nuk bëhet fjalë për asnjë bisedë konkrete, pasi Preiti ishte vetëm në rolin e vëzhguesit dje.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"