Predha nga distanca/ Ronaldo nxiton, me 105 kilometra në orë drejt titullit kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2020 | 20:13

Predha nga distanca/ Ronaldo nxiton, me 105 kilometra në orë drejt titullit kampion

 Tri pikë të tjera të rëndësishme. Të vazhdojmë përpara kështu”, shkruante Kristiano Ronaldo, në të gjitha adresat personale të rrjeteve sociale. Portugezi i Juventusit “celebroi” suksesin kundër Xhenoas me një nga specialitetet e tij, goditjen e fuqishme nga distanca, një predhë e cila nuk ishte një goditje e rëndë vetëm për rivalin e të martës në mbrëmje, por edhe një mesazh i qartë për Lacion, e cila kishte triumfuar përballë Torinos, përpara se Juvja të zbriste në fushë.

Ronaldo

“Predha” tokë-ajër që lëshoi CR7 në pjesën e dytë kundër Xhenoas, ishte pikërisht ajo që futi në kasafortë tri pikët, pas kryeveprës së Paulo Dibalës dhe përpara golit “alla Del Piero” të Duglas Kostës, duke mbajtur të paprekur distancën prej 4 pikësh me ndjekësen më të afërt.

Një silurë i tillë prej 25 metrash ishte i pari në këtë sezon për CR7-ën, por kjo rindezje e motorëve nga ana e portugezit të Juventusit nuk mund të vinte në një moment më të mirë, duke qenë se tri ndeshjet e radhës do të jenë një test shumë i rëndësishëm për bardhezinjtë, pasi kalendari i ofron derbin me Torinon (të shtunën në orën 17:15), transfertën me Milanin (të martën) dhe supersfida me Atalantën, të shtunën e fundjavës së ardhshme.

Me 105 km/h – Sipas asaj që raporton e përditshmja portugeze “O Jogo”, forca me të cilën topi i goditur nga Kristiano Ronaldo ndaj Xhenoas, u stampua në rrjetë me një shpejtësi prej 105 kilometrash në orë. Kjo ishte një nga “predhat” më të mira të karrierës së sulmuesit 35-vjeçar, ndonëse siç tregon historia, ka pasur goditje edhe më potente sesa kaq, të cilat kanë prekur shifrën e 120 kilometrave në orë.

Dy prej tyre që janë ende sot e kësaj dite virale në rrjetet sociale janë ajo e lëshuar në epokën e Mançester Junajtid, kundër Arsenalit, por edhe dy të tjerat me bluzën e Realit të Madridit, ndaj Marsejës (në Champions) dhe ndaj Levantes në kampionat. Me pak fjalë, Ronaldo e ka me nxitim që t’i afrohet titullit kampion me Juven…

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"