PRECEDENTI/ “Maestro” si Alegri në vitin 2015, ja pse te Juventusi do të presin për Pirlon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2020 | 12:18

PRECEDENTI/ “Maestro” si Alegri në vitin 2015, ja pse te Juventusi do të presin për Pirlon

Juventusi i Andrea Pirlos nuk është ende një orkestër. Ka mjetet e mira, por nuk arrin t’i bëjë të luajnë në harmoni, duke luajtur pikërisht fletën e studiuar nga “Maestro”. Nevojitet kohë për të arritur te muzika e shpresuar dhe tifozët e presin me besim, edhe pse vuajtja (mbi të gjitha në dhjetëvjeçarin e fundit) nuk bën pjesë në ADN-në e tyre. Bardhezinjtë janë të detyruar të ndjekin kreun në kampionat (-4 nga Milani i vendit të parë) dhe në grupet e Ligës së Kampionëve (-3 nga Barcelona, momentalisht në vend të dytë +2 nga Dinamo e Kievit dhe Ferencvarosh), megjithatë ambienti mbetet kompakt përreth Pirlos, edhe pse asnjë objektiv (ende) nuk ka dështuar. Dhe sepse në të kaluarën jo shumë të largët, ka ndodhur edhe më parë të mos nisë mirë sezoni: përkundrazi, ka nisur edhe më keq dhe ka përfunduar shkëlqyeshëm.

af_andrea-pirlo_271020

SI MAKS? – Nëse shihet me kujdes, ka një analogji mes asaj që po ndodh sot me Pirlon dhe disa vite më parë me Masimiliano Alegrin në stol. Në të dyja rastet, në thelb qëndron një rinovim i gjerë i skuadrës. Në vitin 2015 “Zonja” konsideroi të mbyllur një cikël fitues dhe vendosi të rinojë skuadrën, me largimin e disa “big”-ëve mes të cilëve vetë Pirlon: hapësirë për talente si Paulo Dibala. Rezultati? Një nisje tronditëse, më traumatike se ajo aktuale. Sot mesatarja e pikëve të Juventusit të Pirlos në kampionat është në fakt 1,8 (përfshi fitoren 3-0 në tavolinë me Napolin) 1,5 në Champions. Me Alegrin, në sezonin 2015-’16, mesatarja në Serinë A ishte 1 pikë për ndeshje. Juventusi nuk e kishte humbur asnjëherë të parën e kampionatit përpara publikut dhe nuk kishte humbur asnjëherë dy ndeshjet e para radhazi që nga lindja e turneut me dy faza: ndodhi atë vit brenda pak ditësh. Madje “krijesa” e Alegrit ra edhe -11 nga kreu.

Pirlo

PËRMBYSJE – Megjithatë, ajo skuadër arriti të bëhej kompakte, Alegri u rikthye te 3-5-2 dhe Dibala u shndërrua në një lojtar të pazëvendësueshëm, shpesh vendimtar. Kështu, që përpara Krishtlindjes diferenca thuajse ishte përgjysmuar. Juventusi mbylli fazën e parë me një distancë prej vetëm 2 pikësh nga Napoli kryesues dhe më pas shkeli gazin: 15 fitore radhazi dhe Bufon për 973 minuta i pamposhtur, për fitoren e titullit të pestë radhazi (me 9 pikë avantazh mbi Napolin). Asnjë skuadër tjetër nuk kishte fituar kampionatin pasi kishte regjistruar një pikë në tri ndeshjet e para dhe askush tjetër nuk ishte shpallur kampion pas 4 humbjesh në 10 ndeshjet e para. Ja përse edhe sot askush brenda Juves nuk shqetësohet shumë nga ky fillimsezoni. Nevojitet kohë, siç ka përsëritur gjithmonë Pirlo, për të ndërtuar “orkestrën” e ëndrrave të tij.

LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"