PRAPASKENAT TE TIRANA/ Refik Halili mbledh “senatorët”, ultimatum për të mundur Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2021 | 10:40

PRAPASKENAT TE TIRANA/ Refik Halili mbledh “senatorët”, ultimatum për të mundur Vllazninë

Presidenti i Tiranës, Refik Halili ka vendosur që të shkundë senatorët dhe skuadrën për paraqitjet e dobëta që ekipi ka bërë dy javët e fundit. Ditët e fundit ai është takuar kokë më kokë me të gjithë lojtarët, duke i ndarë në grupe.

halili

Përballja më e fortë ka qenë me senatorët e ekipit, ata që janë liderët e skuadrës dhe që normalisht duhet të marrin për dore ekipin. Në takimet që presidenti ka pasur me futbollistët u ka rrëfyer lojtarëve që gjendja në renditje nuk është e mirë dhe skuadra është shumë poshtë në renditje.

“Nuk besoja që ne kampionët të ishim kaq poshtë në renditje. Në dy ndeshjet e fundit kam qenë i pakënaqur. Nuk duhet të kishim humbur”, mësohet t’u ketë thënë pak a shumë Halili lojtarëve bardheblu. Presidenti i Tiranës mësohet se u ka kërkuar lojtarëve që të reagojnë që në sfidën e radhës ndaj Vllaznisë, që sipas tij duhet të fitohet me patjetër.

“Gabimet për Tiranën tani janë të palejuara. Deri në fund duhet të fitojmë, sepse nëse nuk ia dalim në Shkodër i bie që të luajmë për asgjë këtë kampionat. Kjo nuk pranohet te Tirana. Me doemos minimalisht duhet të prekim Europën. Kam shumë besim te ju, pasi jeni kampionët dhe normalisht mund ta mundni çdo kundërshtar.

Halili

Ndeshje ka sa të duash dhe ne mund të përsërisim vitin e shkuar. Kam besim te ju. Ama ju senatorët duhet të merrni skuadrën për dore dhe të bëni gjëra të mëdha në fush ën e lojës”, ka mbyllur Halili takimin me lojtarët e skuadrës. Burime thonë se presidenti Halili është i bindur dhe ka besim të madh te Batha, Seferi, Torasa, Kale, Vangjeli, Çelhaka, Ismajlgeci, Toshevski apo edhe afrimet e fundit të skuadrës Tim Vairinen. Tirana aktualisht është në një pozicion të keq në renditje, sepse ka 26 pikë në 20 javë kampionat. Është mundur nga Kukësi e Teuta.

Po kështu u largua edhe Muçi, ndërsa Najdovski është me Kovid. Ekipi duhet të bëjë maksimumin këto 16 javë që minimalisht të shkojë në Europë. Bardheblutë kanë probleme në sulm, teksa në 20 javë tetë sulmuesit që ka në skuadër kanë shënuar 4 gola, ndërsa tetë gola të tjerë janë shënuar nga mbrojtës dhe mesfushorë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"