Prapaskenat te Skënderbeu, zbulohet biseda e drejtuesve me lojtarët. Trajneri nuk u telefonua

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2018 | 23:35

Prapaskenat te Skënderbeu, zbulohet biseda e drejtuesve me lojtarët. Trajneri nuk u telefonua

Vendimi i KAS-it të Lozanës do të sjellë pasojat e veta në Korçë. Menjëherë pasi vendimi u bë zyrtar, që Skënderbeu nuk merr dot pjesë në Ligën e Kampioneve këtë sezon, i pari që braktis korçarët pas këtij vendimi, ka qenë mesfushori Sabjen Lilaj. Deklarata e tij ka bërë bujë në Korçë, duke kapur të papërgatitur ambientin bardhekuq, për më tepër sa i përket situatës financiare të klubit.

Deani Skenderbeu

Sinjali i parë i braktisjes së ekipit nga ana e futbollistëve është dhënë, por duket se klubi dhe drejtuesit kanë filluar të lëvizin për të konfirmuar lojtarët para se të jetë vonë. Sigurisht, këtu bëhet fjalë për të gjithë ata futbollistë që nuk kanë në fuqi një kontratë me Skënderbeun për së paku edhe një sezon. Natyrisht, interes ka edhe për ata që bashkëpunimi u ka përfunduar që në fillim të muajit qershor. Burime të sigurta pranë klubit bardhekuq, treguan dje për “Panorama Sport” se klubi që të enjten ka filluar të kontaktojë në telefon lojtarët, duke përcaktuar takime kokë më kokë për të diskutuar rreth së ardhmes dhe kushteve të reja të kontratave.

Dukshëm një lëvizje kjo që do të tregojë se çfarë do të ndodhë me Skënderbeun, tani më shumë se kurrë, kur të gjithë e quajnë klubin kampion një “supermarket” të madh për Superioren. Të njëjtat burime treguan se ka qenë zëvendëspresidenti i Skënderbeut, Arlind Boshku, që në emër të kreut të klubit, Ardjan Takaj, ka biseduar me lojtarët, të cilëve u ka përfunduar kontrata dhe ka fiksuar një takim me ta.

Takime këto që nga e hëna e në vijim pritet që të ndodhin në “Tropikal Resort”, për të vendosur më pas të ardhmen. Një situatë e tillë duket se ka filluar që pas momentit kur Sabjen Lilaj bëri deklaratën e bujshme, duke konfirmuar shkëputjen e bashkëpunimit me klubin, ndërsa kujtoi edhe një herë detyrimet që Takaj ka karshi futbollistit. Gazeta mëson gjithashtu se në një kohë që lojtarët janë telefonuar me radhë, ka bërë habi fakti, që vetëm trajneri Ilir Daja dhe ndihmësit e tij, nuk janë kontaktuar. Gjithçka mbetet për t’u parë se si do të rrjedhin ngjarjet në kampin korçar.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"