PRAPASKENAT/ Sherri për sponsorin në KOKSH, banka do planin e shpenzimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2020 | 13:12

PRAPASKENAT/ Sherri për sponsorin në KOKSH, banka do planin e shpenzimeve

Pas përplasjeve për datat e asambleve, ku presidenti i Komitetit Olimpik, Viron Bezhani, denoncoi një ditë më parë sekretariatin dhe një pjesë të anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv për shkelje të statutit, në KOKSH dalin në sipërfaqe të tjera konflikte. Disa javë më parë gazeta publikoi sherrin mes anëtarëve të KE-së për një kontratë sponsorizimi me “Raiffeisen Bank” për Lojërat Olimpike të Tokios, të cilën presidenti Bezhani refuzonte ta firmoste. Në komunikimin elektronik kreu i KOKSH kërkonte që fillimisht të gjithë anëtarët e KE-së të njiheshin me planin e shpenzimeve, për shumën 1,625,000 (një milion e gjashtëqind e njëzet e pesë mijë) lekë të kontratës me “Raiffeisen Bank”.

KOKSH

Mirëpo, kjo krijoi debate të forta, teksa disa prej anëtareve e akuzuan presidentin se po përdor si pretekst transparencën, pasi nuk dëshiron që ta firmosë. Kujtojmë që muaj më parë në denoncimet e shumta të bëra nga Bezhani ndaj sekretariatit ishte gjithashtu edhe akuza për abuzim me kontratat e sponsorizimit që KOKSH kishte firmosur fshehurazi me bankat. Duke parë këtë situatë, ka ardhur edhe reagimi nga banka në fjalë. Gazeta mëson nga burime pranë KOKSH-së se tashmë banka kërkon që për firmosjen e kësaj kontrate duhet që patjetër të pasqyrohet edhe buxheti me të gjitha vlerat përkatëse. Në kërkesën e saj banka shprehet se ky buxhet duhet të jetë i firmosur dhe i vulosur nga presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

PRECEDENTI – Kujtojmë se ky nuk është rasti i parë që kontratat e sponsorizimit kanë shkaktuar përplasje të forta në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar. Disa muaj më parë, presidenti Viron Bezhani denoncoi një skandal, teksa me anë të një deklarate akuzonte hapur sekretarin e përgjithshëm Stavri Bello. Ja si ishte shprehur ndër të tjera Bezhani në denoncimin e tij të bërë më datë 6 shkurt të këtij viti: “Sekretari i KOKSH, Stavri Bello, ka firmosur një kontratë të paligjshme pa e diskutuar dhe pa miratimin e Komitetit Ekzekutiv.

Në preventiv nuk ka asnjë fjalë dhe asnjë lek për Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’, ndërkohë që sponsorizimi ishte për këtë aktivitet. Nuk ka asnjë fjalë dhe asnjë lekë për sportistët elitarë dhe federatat që synojnë të çojnë sportistë në Olimpiadë. Në preventiv ka: lekë për festa dhe darka. Lekë për 3000 bluza që ne kemi marrë falas nga Solidariteti Olimpik dhe asnjëherë më shumë se 1000 copë… Lekë për uniforma me çmime skandaloze, 25 mijë lekë pala. Lekë për ‘promocione dhe broshura’ që nuk dihet se çfarë janë. Pra, ka lekë për gjithçka që i leverdis Stavros, por asgjë që shkon në interes të sportistëve olimpikë dhe Lojërave Olimpike ‘Tokio 2022′”, deklaronte asokohe Bezhani.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"