PRAPASKENAT/ Reali mashtroi me Hamesin, Bejl nuk i takoi të gjithë pas largimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Shtator 19, 2020 | 12:35


PRAPASKENAT/ Reali mashtroi me Hamesin, Bejl nuk i takoi të gjithë pas largimit

Reali i Madridit i ka larguar të dy të padëshiruarit. Hames Rodrigez dhe Garet Bejl shkuan në Angli për t’u aktivizuar respektivisht me Evertonin dhe Totenhemin. Në këtë mënyrë Zinedin Zidan nuk do të ketë dy “problematikët”, por sigurisht që nuk kanë ikur pa prapaskena. Për kolumbianin është zbuluar fakti që ka shkuar tek Evertoni si futbollist i lirë, ndërsa uellsiani nuk i ka takuar të gjithë shokët e skuadrës.
james-rodriguez-real-madrid_18anthztbr6eez97ia40qdrnc
HAMES ME 0 – Nga mediat spanjolle, por edhe ato angleze u raportua se Reali i Madridit arkëtoi 25 milionë euro nga shitja e Hames Rodrigezit. Klubi “galaktik” nuk e mohoi diçka të tillë, por ditën e djeshme është mësuar zyrtarisht se mesfushori kolumbian ka ikur si futbollist i lirë dhe Evertoni nuk ka bërë asnjë pagesë në arkat e Realit të Madridit. Ka qenë skuadra e Banfild në Argjentinë, e cila përmes një komunikate thotë se nuk ka përfituar asnjë euro nga kalimi i Hamesit te skuadra e Ançelotit dhe sqaron se ai ka ikur si futbollist i lirë drejt kampionatit anglez. Përpara se të firmoste me Evertonin, Hames dhe Reali kanë prishur kontratën me njëri-tjetrin dhe për këtë arsye skuadra e Premier Ligës nuk ka pasur detyrim të paguajë për të blerë kartonin e tij.
bejl
BEJL ME POLEMIKA – Ditën e djeshme Garet Bejl udhëtoi nga Madridi drejt Londrës për t’iu bashkuar Totenhemit. Mediat spanjolle zbulojnë prapaskenën se uellsiani nuk i ka takuar të gjithë futbollistët e skuadrës dhe konfirmon faktin që raporti i tij me madrilenët nuk ka qenë shumë i mirë. Gjithashtu, largimi i Bejlit nga Reali është parë si një çlirim për lojtarët e tjerë. Ata nuk ishin aspak të kënaqur nga mënyra se si bëheshin gjërat dhe uellsiani ishte shndërruar në një barrë për trajnerin Zidan. Gjatë vitit të kaluar u bënë të gjitha përpjekjet që Bejl të integrohej në skuadër dhe të fillonte të jepte kontribut, por ai dukej i shkëputur totalisht nga Madridi. Episodi i fundit kur nuk udhëtoi me skuadrën drejt Mançesterit për ndeshjen e Ligës së Kampioneve ishte vula e fundit e raportit mes tij dhe disa lojtarëve të tjerë të skuadrës. Për këtë arsye ai u largua pa i takuar. Bejl u huazua për një sezon në Londër për të qenë pjesë e ekipit të Totenhemit, por nuk dihet nëse do të rikthehet sërish në Madrid.

GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com