Prapaskenat me trajnerin/ Halili pret dorëheqjen e Memës, Tirana heziton ta shkarkojë prej…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2019 | 20:56

Prapaskenat me trajnerin/ Halili pret dorëheqjen e Memës, Tirana heziton ta shkarkojë prej…

Tirana dhe Ardian Mema janë shumë afër dhe shumë larg njëkohësisht. Trajneri dhe bardheblutë janë drejt ndarjes dhe ditët në vazhdim, që janë pushim, do të qartësohen shumë gjëra.

halili mema

Fakt është se trajneri i bardhebluve nuk pëlqehet më nga presidenti Refik Halili dhe stafi drejtues. Përplasje ka pasur gjatë gjithë kohës, me drejtuesit që duan dikë tjetër në krye të skuadrës. Kjo u pa qartë pas derbit ku presidenti foli kundër trajnerit dhe lojtarëve.

Në fakt, edhe pse ishte e diel dhe nuk pritej ndonjë gjë e madhe, një gjë është e sigurt. Edhe dënimi i Hoxhallarit është një tjetër goditje për Memën, që tha publikisht se vendimi ishte i klubit, jo i tiji. Palët janë larg njëratjetrës. Një ulje e presidentit mund të ndryshonte gjërat, por nga ana tjetër Refik Halili nuk po merr hapin vendimtar të shkarkimit të Memës.

refik halili

Dhe po të kthehesh pas në kohë, është e njëjta histori si me Ze Marian. Presidenti kërkonte ta largonte trajnerin, por nuk e shkarkonte, sepse në mes ishin… paratë. Ashtu si në rastin e brazilianit, edhe në rastin e Ardian Memës, Halili nuk do të largojë trajnerin dhe të paguajë faturën financiare, që do të thotë se nëse Tirana shkarkon Ardian Memën, duhet të paguajë edhe rrogën e trajnerit, si në çdo vend të botës. Halili i ka lënë të kuptohet Memës që duhet të largohet vetë.

Nga ana e vet, Mema duket se nuk jep dorëheqjen dhe kjo është më se normale, pasi ai mendon se çdo skuadër mund të kalojë momente të këqija. Në mes janë rreth 40 milionë lekë rrogë e trajnerit (pa stafin) që Halili duhet t’i nxjerrë nga xhepi nëse largon Memën. Shkurt, “patatja e nxehtë” është në dorë të trajnerit, që ka të gjitha të drejtat e botës të besojë se skuadra mund të dalë nga kriza.

NGJASHMËRITË

Refik Halili ndoqi të njëjtën taktikë edhe një vit më parë me Ze Marian. Ai nuk e shkarkonte, por i kërkonte dorëheqjen. Braziliani u lodh me këtë situatë dhe vendosi që me Tiranën të prishte kontratën me konsensus dhe të largohej nga Shqipëria. Për çudi asokohe ishte kampionat i ndalur prej Kombëtares dhe në krye u emërua pikërisht Ardian Mema.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"