Prapaskenat me stadiumet, ndaj Lihtenshtejnit do të luhet në Elbasan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2017 | 13:43

Prapaskenat me stadiumet, ndaj Lihtenshtejnit do të luhet në Elbasan

“Elbasan Arena” rikthehet sërish që të jetë “streha” e Kombëtares. Pas ndeshjes me Izraelin që u luajt në këtë impiant, për shkak të problemeve me sigurinë në Shkodër, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që edhe sfida me Lihtenshtejnin, e programuar për në datën 2 shtator, të luhet në stadiumin e Elbasanit.

elbasan-arena-665x500

Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë institucionit më të lartë të futbollit shqiptar, konfirmojnë se kjo sfidë e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018” është vendosur të luhet në “Elbasan Arena”. Mbetet vetëm çështje ditësh konfirmimi zyrtar nga ana e FSHF-së për këtë gjë.

elbasan-arena-03

ARSYEJA – Të njëjtat burime konfirmojnë se një nga arsyet kryesore që kjo përballje të luhet në Elbasan, ka të bëjë me rëndësinë e ndeshjes dhe kundërshtarin që kuqezinjtë kanë përballë. Lihtenshtejni nuk përbën një interes shumë të madh për sportdashësit, ndaj është parë e udhës ta dërgojnë në Elbasan.

elbasan arena1

Arsyeja tjetër ka të bëjë edhe me faktin se vetë FSHF-ja ndihet më komode në menaxhimin e një ndeshjeje ndërkombëtare në “Elbasan Arena”, duke filluar nga afërsia me kryeqytetin, deri tek detajet e tjera teknike.

Loro Borici panorame

Por, edhe përplasjet e shpeshta me Bashkinë e Shkodrës, kanë pjesën e vet në këtë përzgjedhje, sepse është i njohur fakti, që në të kaluarën, këto dy institucione kanë pasur herë pas here përplasje me njëra-tjetrën.

ITALIA – Ndonëse përballja me “axurrët” e Italisë do të luhet në datën 9 tetor dhe mund të ketë kohë për ta ndarë përfundimisht se ku do të zhvillohet sfida, në “Elbasan Arena” apo “Loro Boriçi”, gazeta mëson se për këtë përballje nuk ka ende një vendim përfundimtar nga ana e FSHF-së.

Itali - Shqiperi miq ne stadium

Megjithatë, burimet tregojnë se stadiumi i Shkodrës nuk shihet me shumë dëshirë për ndeshjet e Kombëtares dhe avantazhi i vetëm që ka është kapaciteti më i madh. Interesimi i madh nga sportdashësit për të ndjekur këtë takim, mund të “detyrojë” FSHF-në që ta dërgojë ndeshjen në Shkodër, përpos dëshirës që kanë.

Loro Borici

Duhet thënë se ndeshja e fundit që është luajtur në Shkodër është ajo me Spanjën dhe pas saj, dy sfidat e tjera janë luajtur në Elbasan (Izraelin dhe Bosnjen). Me Lihtenshtejnin bëhen tri sfida larg Shkodrës dhe sipas të gjitha gjasave edhe me Italinë do të luhet në Elbasan.

Duket sikur pak e nga pak, ka nisur “aneksimi” i “Loro Boriçit” për ndeshjet e Kombëtares dhe deri në ndërtimin e stadiumit të ri në Tiranë, kuqezinjtë do të jenë mysafirë në Elbasan. Megjithatë, për sfidën me 4 herë kampionët e Botës, të dyja pistat janë të hapura dhe mbetet për t’u parë se ku do të luhet ndeshja e fundit për këto kualifikuese.

Vladimir Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"