Prapaskenat, ja si Partizani kërcënoi FSHF-në dhe Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2018 | 12:21

Prapaskenat, ja si Partizani kërcënoi FSHF-në dhe Skënderbeun

Orët e fundit të merkatos kanë qenë të zjarrta në Superiore, ku nuk kanë munguar edhe përplasjet dhe kërcënimet. “Panorama Sport”, nga burime të ndryshme ka arritur të mësojë edhe një përplasje që ka ndodhur në mesnatën e 31 gushtit, sa i përket federimit të dy futbollistëve shkodranë. Të kuqtë kanë qenë të interesuar për Erald Çinarin dhe Ardit Krymin, por më shumë për mesfushorin sulmues që blenë.

40421249_914368778757519_2637703845001560064_n

Për mesfushorin mësohet se në garë ka qenë edhe Skënderbeu dhe të dy klubet kanë luftuar deri në sekondën e fundit për Krymin. Federata e ka vënë në presion Partizanin që të dorëzonte dokumentacionin e lojtarëve të firmosur, jo me akord në parim, brenda orarit të lejuar dhe për këtë gjë erdhi edhe prezantimi i Erald Çinarit pak para mesnate. Lojtari ka udhëtuar nga Shkodra në kryeqytet gjatë natës për të plotësuar gjithë procedurën. Ndërsa për Krymin nuk kanë arritur ta realizojnë, edhe për faktin se lojtari pëlqente më shumë kalimin në Korçë. Por në orët e fundit, Partizani, si palë e interesuar për Krymin, ka mësuar se Vllaznia nuk ia kishte dhënë në kohë lejen e kalimit lojtarit për t’u bërë pjesë e Skënderbeut, pasi kërkonte dëmshpërblim, ashtu siç vepruan të kuqtë me Çinarin. Duke qenë se korçarët kanë qenë të angazhuar te ndeshja me Laçin, pati zëra se ishte lënë që akordi të mbyllej me Vllazninë gjatë ditës së shtunë, 1 shtator. Këtë kusht kishte kërkuar edhe Partizani me Çinarin dhe Krymin, por nuk iu pranua nga Federata.

Partizani

Me të mësuar këtë prapaskenë me Krymin, mësohet se Partizani e ka vënë në dijeni sektorin e federimeve, se nëse do të pranonte shkeljen me Krymin duke e federuar jashtë afatit, ata do të ankoheshin në FIFA. Për shkak të këtij presioni, por edhe në mungesë të akordit me Vllazninë, që kërkonte pjesën e dëmshpërblimit, Ardit Krymi mbeti pezull dhe i bie që të vazhdojë me kuqeblutë, pasi është nën kontratë. E vetmja mundësi lëvizjeje është që lojtari të mund të federohet në ndonjë ekip tjetër të Kategorisë së Parë ose të Dytë. Me këtë hapësirë të mbetur, të kuqtë kanë akoma një shans, pasi lojtari mund të firmosë me Partizanin B, ose do të vijojë me Vllazninë deri në janar. Partizani ka ende dy vende të lira në listën e federimeve në FSHF. Nga 25 që është numri i lejuar, “demat” kanë dërguar vetëm 23 emra. Këto mund të plotësohen vetëm me lojtarë që fundi i merkatos i ka zënë të lirë apo në proces gjyqi me klubin ku kanë probleme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"