Prapaskenat, ja shifra e majme që kërkon Vllaznia për kartonin e Çinarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2018 | 17:03

Prapaskenat, ja shifra e majme që kërkon Vllaznia për kartonin e Çinarit

Vllaznia nuk ka ndërmend të tërhiqet nga çështja që ka shpërthyer në lidhje me transferimin e Eraldo Çinarit te klubi spanjoll i Deportivo Alavesh. Klubi shkodran i jep lejekalimin futbollistit vetëm nëse bëhet një marrëveshje e re me spanjollët që të derdhin 100 mijë euro në arkën e Vllaznisë, nëse dëshirojnë të marrin shërbimet e lojtarit.

Një fakt të tillë e konfirmon për gazetën “Panorama Sport”, vetë administratori i klubit, Suad Lici. Në reagimin e tij në lidhje me këtë çështje, ai jep zgjidhjen se si mund të procedohet me këtë rast.

CINARI2-470x264

KUSHTET

“Nëse klubi spanjoll paguan detyrimet, atëherë kjo çështje zgjidhet normalisht. Mendoj se klubi Vllaznia ka qenë gjatë të gjithë kohës transparent dhe i gatshëm që Eraldo Çinarit të mos i ndërpritet karriera sportive. Natyrisht, kundrejt detyrimeve që i ka në kontratën e firmosur përpara tre viteve. Atij i është rinovuar kontrata dhe i është rritur paga. Klubi ka operuar në mënyrën e duhur me këtë lojtar dhe ka investuar tek ai. I është dhënë hapësira e duhur në fushë dhe fakti që është pjesë e Kombëtares së Shpresave, tregon se ka mundësi për të bërë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

Kjo është gjë pozitive, por në krahun tjetër janë këto problemet që e mbajnë peng. Unë kam qenë vetë lojtar dhe nuk dua që Çinari të jetë viktimë. Zgjidhja e vetme është që klubi spanjoll i Deportivo Alavesh të kryejë detyrimet financiare që janë të parashikuara në kontratë, gjithmonë nëse ka interes për atë lojtar. E kemi vendosur në dijeni të gjithë hierarkinë e klubit spanjoll, duke nisur nga presidenti dhe drejtuesit e tjerë. Kemi vënë në dijeni edhe klubin kroat ku Çinari është i huazuar. Mendoj se kemi qenë shumë transparentë. Në momentin që do të na kërkohen, do t’i vendosim në dispozicion të organeve përkatëse të gjithë dokumentacionin.

Alavesh duhet të paguajë 100 mijë euro, aq sa është shifra në kontratë dhe të bëhet një marrëveshje sipas të gjitha rregullave dhe më pas Çinari të jetë pjesë e klubit spanjoll. Klauzola e lojtarit është 100 mijë euro dhe ia kemi bërë të qartë Deportivo Alavesh, duke i dërguar kontratën dhe pikën ku thuhet kjo. Ne nuk kemi dashur që të bëheshim barrë për lojtarin, pasi ne mund të kishim marrë masat tona. Lojtari është paraqitur aty dhe ka kryer formalisht transferimin, ndërsa nuk kishte marrë lejekalimin. Kjo nuk është korrekte.

Gjërat kanë shkuar shumë keq dhe më vjen gjynah për lojtarin”, shprehet në prononcimin e tij administratori Lici. Aktualisht, Çinari është në Kroaci i huazuar tek Istra, por nuk mund të luajë.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"