PRAPASKENAT/ Futbolli në kaos, klubet dhe qeveria e çojnë në “shtesë”. Ja pse sot priten surpriza

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2020 | 13:40

PRAPASKENAT/ Futbolli në kaos, klubet dhe qeveria e çojnë në “shtesë”. Ja pse sot priten surpriza

Klubet po i qëndrojnë besnikë idesë së bojkotit, edhe pse me një kosto të madhe për vetë presidentët e tyre. Njoftimi i djeshëm i kreut të Ligës Profesioniste, Edvin Libohova, ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ai ishte korrekt kur tha se klubet e Superiores kanë vendosur që të vazhdojnë bojkotin, por situata brenda radhëve të Ligës nuk është edhe aq “unanime”.

lIGA PROFESIONISTE

Me të drejtë një pjesë e atyre që vazhdojnë t’i përgjigjen vullnetit të shumicës, kanë ngritur zërin edhe dje gjatë mbledhjes se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Gazeta mëson se disa presidentë kanë prekur edhe anën tjetër të medaljes:

“Po vazhdojmë me bojkotin, por nëse qeveria nuk plotëson kushtet tona, edhe sa kohë do të vazhdojmë kështu? Kemi skuadra të rriturish dhe moshash që po stërviten kot, ndërkohë që na pret edhe një axhendë shumë e ngjeshur ndeshjesh? A kemi ndonjë plan ‘B’ nëse qeveria nuk bën pas”, kanë qenë pyetjet e disa prej drejtuesve të klubeve. Përgjigja e atyre më besnikëve ndaj kauzës, ka qenë e njëjtë:

“Kështu të humbur jemi. Vetëm po humbasim para dhe jemi prej vitesh në një udhë pa krye. Më mirë vazhdojmë kështu sesa të kalojmë edhe një sezon tjetër duke u zvarritur”. Pas disa diskutimesh që nuk kanë zgjatur më shumë se një orë, kanë rënë dakord që të vazhdojnë me bojkotin. E megjithatë, ka shpresë se situata mund të ndryshojë, madje që sot…

DEKLARATA E DUKËS

Presidenti i FSHF-së nuk i lë asgjë rastësisë. Ditën që do të mblidheshin presidentët e klubeve të Superiores, dje pra, ai jo vetëm që ka marrë pjesë vetë në mbledhje me qëllim që ndonjëri prej tyre të mos dalë nga rreshti, por është kujdesur që ende pa filluar mbledhja të japë sinjale në distancë.

DUKA

“Futboll do të ketë. Kampionati do të rifillojë”, deklaroi ndër të tjera në një vizitë “të rastësishme” në Universitetin e Sporteve. Natyrisht, ai nuk është i interesuar që futboll të mos ketë, por kjo deklaratë mund të lexohet edhe si një mesazh për të dyja palët: qeverinë dhe klubet. Mesazhi për qeverinë mund të jetë pikërisht nëpërmjet kësaj fjalie: “Ne jemi gati të ulemi dhe të rikthehemi të luajmë, por duhet të bëni edhe ju diçka…”.

Ndërkohë që mesazhi për klubet ishte akoma më i qartë: “Rezistoni edhe këtë javë, sepse jemi drejt fundit”. Këtë mesazh të koduar Duka e dha pikërisht një ditë para takimit mes përfaqësuesve të klubeve dhe qeverisë, i përcaktuar gjatë ditës së sotme.

PRITEN SURPRIZA…

Të dyja palët e kanë të vështirë të tërhiqen në këtë moment. Klubet dhe federata nuk mund ta nisin kampionatin pa marrë një garanci nga qeveria se do të miratojë ndryshime thelbësore në ligjin e sponsorizimeve. Nga ana tjetër, edhe qeveria kërkon që të mos ketë më “kleçka” të tjera nëse ua plotëson disa kushte klubeve. Burime të gazetës bënë me dije se qeveria u ka miratuar parimisht në takimin e fundit tri nga katër kërkesat: uljen e TVSH-së 6 për qind për investime në sport, përjashtimin nga taksat për 2 vjet për sportistët dhe amnisti për gjobat dhe kamatëvonesat që kanë klubet në shtet.

FIDEL YLLI

Pika ku kanë ngecur është ajo e ligjit për sponsorizimet. Takimi i sotëm do të shërbejë pikërisht për këtë: qeveria do të bëjë ofertën e saj me ndryshimet që ekspertët e Ministrisë së Financave i konsiderojnë të nevojshme dhe më pas klubet dhe FSHF do ta vlerësojnë.

Nëse ajo është brenda pritshmërive, situata mund të përmbyset menjëherë dhe të nisë kampionati që këtë javë, madje duke startuar që të premten me kryendeshjen e javës së parë, Tirana-Kukësi. Në të kundërt, do të vazhdojmë të jemi i vetmi vend në Europë pa futboll dhe pa asnjë sport tjetër.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE:

“Kampionati do të luhet”, flet Duka: Dikur kënaqeshim me humbjet me 1 gol, për Rejën nuk kemi asnjë…

“Qeveria e mëparshme krijoi 1 miliard dollarë borxh në sport”, Fidel Ylli: Ligjin e Sportit e kemi marrë nga Sllovenia

Liga zhgënjen tifozët e futbollit shqiptar, merr vendimin: Ja çfarë do të ndodhë me kampionatin

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"