Prapaskenat e një skandali, FSHF shkel rregulloret e kampionatit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 21, 2017 | 9:47

Prapaskenat e një skandali, FSHF shkel rregulloret e kampionatit

Ndryshon Kategoria e Dytë. Në sezonin e ardhshëm, në këtë kategori do të marrin pjesë 28 skuadra të ndara në dy grupe me nga 14 ekipe. Gazeta “Panorama Sport” ka mësuar se në kampionatin e ardhshëm do të përfshihen edhe Kevitani në Grupin e Veriut dhe Skrapari në atë të Jugut. Burime të sigurta në FSHF kanë bërë të ditur se vendimi është marrë dhe se këtë javë pritet të zbardhet kalendari.

kategoria e dyte skrapari

Prapaskenat

Disa ditë më parë, Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së morri vendim për ndarjen e grupeve të Kategorisë së Dytë për sezonin e ri. Por, Federata nuk bëri publike ndarjen e grupeve dhe ekipet që do të merrnin pjesë. Gazeta siguroi ndarjen e skuadrave ku në çdo grup do të merrnin pjesë 13 ekipe. Dhe ngeleshin jashtë Skrapari dhe Kevitani, respektivisht dy skuadrat që u renditën në vendet e fundit në Grupin A dhe B të kampionatit të kaluar.

ekzekutivi fshf

“Panorama Sport” lajmëroi disa ditë më parë në një shkrim të sajin se kjo histori përdorej edhe për fushatën e zgjedhjeve për presidentin e FSHF-së vitin e ardhshëm. Pavarësisht sipas rregullores, Federata kishte marrë vendimin e duhur, pasi është e shkruar qartë që skuadra, e renditur në vendin e fundit në grupet e Kategorisë së Dytë, përfundon në Kategorinë e Tretë.

Por, FSHF nuk e ka respektuar asnjëherë rregulloren në vitet e fundit duke mos zbritur asnjë ekip. Në një kohë që një vit më parë përfshiu në kampionatin e Kategorisë së Dytë Këlcyrën dhe Maliqin, duke shkelur të gjitha rregulloret e futbollit. Në këtë situatë, Kevitani dhe Skrapari nisën të lëviznin gurët, në një kohë që FSHF i mbante peng. Dhe tashmë vendos që t’i përfshijë në sezonin e ri. Bamirësi duke shkelur rregulloren me të dyja këmbët.

Sigurisht, është në të mirë të futbollit dhe komuniteteve të ndryshme që, sidomos në ligat inferiore, të ketë sa më shumë skuadra, ashtu siç ndodh rëndom edhe në Europë, por në Federatë nuk njohin rregullore. Këtë javë pritet të zbardhet kalendari, ndërsa kampionati mund të nisë më 1 tetor.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"