Prapaskenat e merkatos së Skënderbeut/ Katër afrime në plan, shkodrani Nikaj drejt rikuperimit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 23, 2022 | 15:15

Prapaskenat e merkatos së Skënderbeut/ Katër afrime në plan, shkodrani Nikaj drejt rikuperimit

Skënderbeu vërtetë u ndal nga Besa, e megjithatë barazimi nuk po bëhet dramë. Frenimi i rivalëve duket se solli qetësinë e bardhekuqve. Tashmë korçarët mund të bëjnë planet të qetë për forcimin e ekipit, për të përballuar pjesën e mbetur të kampionatit. Shpërdorimi i rasteve dhe mungesa e fitores, tashmë kanë kaluar në plan të dytë. Klubi për momentin është përqendruar te hyrjet në merkato.

SKENDERBEU

Me Randi Dumfur të sigurt dhe të federuar (që thjesht pret të marrë vizën dhe të vijë në Shqipëri), drejtuesit janë duke pritur “haber” nga Agnaldo Moraesh. Burime në klub bëjnë me dije se Ardjan Takaj ka kontaktuar me brazilianin dhe i ka bërë të ditur ofertën e vet. Mesfushori ka marrë kohën e nevojshme për të reflektuar dhe për të dhënë përgjigjen finale.

MERKATO – Nga ana e tij, Ivan Gvozdenoviç është në pritje të futbollistëve të tjerë për të plotësuar organikën për pjesën tjetër të sezonit. Burime pranë kryepankinës korçare thonë se ai pret më e pakta dhe dy futbollistë të tjerë, përveç emrave të lakuar gjatë këtyre ditëve (si Randi Dumfur dhe Agnaldo Moraesh). Emrat mësohet se trajneri ia ka bërë me dije edhe presidentit. Ky i fundit është treguar i gatshëm t’i bëjë pjesë të ekipit që kërkon rikthimin e menjëhershëm në Kategorinë Superiore. Serbi ka nevojë për mesfushorë dhe mbrojtës, çka tregon se të ardhurit pritet që të jenë nga këto dy reparte. Edhe në kushtet kur si mesfusha ashtu edhe reparti difensiv kanë një numër të konsiderueshëm lojtarësh.

SULMI – Nga janari flitet se edhe sulmuesi Ardit Nikaj do të bashkohet me ekipin pas një periudhe të gjatë mungese për arsye të dëmtimit të rëndë, pësuar në fundin e sezonit të shkuar.

ardit nikaj

Por ende mbetet për t’u parë nëse shkodrani pas operacionit dhe fazës riaftësuese do të jetë gati për trajnerin Ivan Gvozdenoviç apo jo. Nisur nga kërkesa e kryepankinës për të pasur në ekip edhe një sulmues tjetër, duket se serbi i njohur pak gjëra llogarit me shkodranin në sulmin korçar.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"