Prapaskenat e krisjes, Xhaka u largua nga Kombëtarja pa pyetur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2017 | 9:28

Prapaskenat e krisjes, Xhaka u largua nga Kombëtarja pa pyetur

Prej kohësh Taulant Xhaka nuk është më një titullar fiks i Kombëtares. Shkëndija që dha në ndeshjen kundër Zvicrës në Europian, teksa flakte i nervozuar shishen me ujë pas zëvendësimit, u kalua pa masa të bujshme për hir të “ruajtjes së harmonisë në grup”.

Por “dashuria” mes tij dhe De Biazit nuk ishte më si më parë. Luajti gjithnjë e më pak, derisa pas Italisë mori një vendim të nxituar. Në kokën e tij ka qenë i bindur se i meritonte qoftë edhe disa minuta, me të drejtë ndoshta, por urdhri i trajnerit nuk bëhet dysh. Aq më tepër që përballë kishte pikërisht atë, trajnerin që bëri gjithçka që ta vishte kuqezi, atëherë kur shumë të tjerë ia kishin vënë vizën dhe ishin të bindur se tashmë ishte një lojtar “i djegur” nga Zvicra.

Tani kohërat kanë ndryshuar dhe nëse nuk do të ketë një reflektim të shpejtë e publik nga ana e lojtarit, ka shumë të ngjarë që për sa kohë De Biazi të jetë trajner, Xhaka të mos jetë më në listë. Ndoshta, sepse në futboll nuk mund të thuash kurrë…

xhaka

PRAPASKENA

Xhaka e kishte parandjerë që nuk do të ishte titullar kundër Italisë, por ndërkohë ka shpresuar se mund të luante disa minuta në pjesën e dytë. “Panorama Sport” zbulon se pas ndeshjes zhgënjimi dhe mllefi kishin arritur kulmin te Xhaka, i cili më pas vendosi të kërkojë një ballafaqim me trajnerin.

De Biazi, si një ekspert i këtyre situatave, e ka shmangur takimin, sepse të dy kanë qenë të ngarkuar emocionalisht pas ndeshjes. Lojtari ka këmbëngulur, por trajneri, nga ana tjetër, ka qenë i prerë që të gjitha bisedat të bëheshin ditën tjetër në mëngjes, kur kokat janë më të ftohta.

De Biazi - Xhaka

BISEDA

Mësohet se Xhaka ditën tjetër nuk i ka kërkuar asnjë llogari trajnerit për mosaktivizimin. Thjesht e ka njoftuar atë se kishte vendosur që të shkonte të stërvitej me Bazelin. Trajneri fillimisht është kapur në befasi dhe më pas i ka kujtuar se ishte në grumbullim me Kombëtaren. Gjatë bisedës Xhaka ka ndërhyrë dhe i ka thënë: “Do iki, se kam prerë edhe biletën…”. Këtu De Biazi nuk e ka vazhduar më dialogun me futbollistin dhe i ka lënë të kuptohet se ky është një veprim i papranueshëm.

Në fund, trajneri i ka bërë të qartë mesfushorit se e llogariste për ndeshjen me Bosnjën dhe se largimi nga skuadra po bëhej pa miratimin e tij, por vendimi përfundimtar gjithsesi ishte në dorën e lojtarit. Pas kësaj, disa lojtarë veteranë, por edhe pjesëtarë të stafit janë përpjekur ta bindin Xhakën të reflektonte dhe të mos nxitohej, por ai nuk ndryshoi mendim…

Nga i dërguari ynë në Palermo,
JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"