Prapaskenat e Disiplinës/ Partizani pa tifozë në Shkodër, klubi duhet të …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2019 | 12:07

Prapaskenat e Disiplinës/ Partizani pa tifozë në Shkodër, klubi duhet të …

Incidentet që ndodhën në derbin e 29 shtatorit, Partizani pritet t’i vuajë edhe në transfertën e Shkodrës. Në javën e shtatë të kuqtë luajtën ndaj Teutës në “Selman Stërmasi” pa praninë e tifozëve, pasi Komisioni i Disiplinës i dënoi me zhvillimin e dy ndeshjeve vijuese pa spektatorë.

Tifozet e Partizanit flakadane

Ndaj Teutës nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1 dhe mungesa e lojtarit të 12-të, që quhen tifozët, u ndje shumë te “demat e kuq”. Por, sipas vendimit të Disiplinës të datës 2 tetor, Partizani i bie që të mos ketë mbështetjen e tifozëve të tij edhe në transfertën e Shkodrës, pasi dënimi ka qenë për dy ndeshje vijuese që luhen radhazi, dhe jo dy ndeshje që organizojnë brenda.

Ja vendimi i Disiplinës në lidhje me kampionët në fuqi: “FK ‘Partizani’, për sjellje të gabuar të spektatorëve të tij, në bazë të Nenit 65/2 të KDS, dënohet me zhvillimin e 2(dy) ndeshjeve vijuese pa spektatorë dhe gjobë në masën 100.000 (njëqindmijë) lekë”. Partizani humbi të drejtën e shlyerjes së gjysmës së dënimit në ndeshjen e Kupës ndaj Vorës, pasi Komisioni i Disiplinës u mblodh një ditë më vonë.

Klubi kryeqytetas e ka shlyer gjysmën e dënimit ndaj Teutës dhe sipas masës ndëshkuese, i bie që me tifozë e kuq të luhet vetëm në javën e fundit të fazës së parë, ku presin Skënderbeun në “Selman Stërmasi”. Duhet edhe një javë që të vijë transferua e Shkodrës, por deri tani nuk ka sinjale që Partizani të paguajë që të ketë edhe tifozët në mënyrë të organizuar në “Loro Boriçi”.

loro borici bosh vllaznia skenderbeu

Gjithsesi, dashamirësit e Partizanit mund të jenë prezent në Shkodër, por u duhet që të sistemohen në tribuna bashkë me vendësit, pasi klubit shkodran i lind e drejta që të mos e hapë sektorin e tifozëve miq. Tribunat e sektorit E janë gjithnjë në dispozicion të tifozëve miq, ndaj nëse Partizani nuk paguan gjobën, ultrasit e kuq e kanë të pamundur që të jenë prezent me banderolat e tyre, si dhe me mbështetjen në kor që e bëjnë gjithnjë në sektorë të veçantë.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"