Prapaskenat e bujshme/ Si tentoi Spanja të blinte ndeshjen me Shqipërinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2022 | 21:07

Prapaskenat e bujshme/ Si tentoi Spanja të blinte ndeshjen me Shqipërinë

Shqipëria dhe Spanja do të luajnë të sh tunën përballjen e tyre të tetë në historinë e dy kombëtareve, ku pa dyshim bie në sy dominimi i thellë i spanjollëve në të gjitha sfidat e luajtura mes viteve 1986 dhe 2017. Spanjollët i kanë fituar të shtata ndeshjet e mëparshme me një golavarazh të frikshëm 29-2, ku peshon humbja e thella 9-0 në dhjetor të 1990-ës.

Shqiperi Spanje

Por në historikun mes dy kombëtareve ekziston një ndeshje që nuk u luajt kurrë, ajo e planifikuar për në dhjetor të 1999-ës në Tiranë. Kjo ndeshje nuk u luajt për shkak të situatës politike në vend, si dhe mungesës së korrespondencës mes dy federatave, kjo pasi ajo shqiptare kishte harruar t’u kthente përgjigje homologëve spanjollë.

Por spikat edhe dueli i vitit 1993, i luajtur në kryeqytetin shqiptar, që u tentua të blihej, nëpërmjet një ndërmjetësi dhe pas ofertës surprizuese përfundoi me fitoren 1-5 të iberikëve. Fitoret me rezultate të thella janë toniku i zakonshëm i përballjeve të Spanjës ndaj Shqipërisë, që sipas medias spanjolle, është rritur shumë dhe arriti të luante edhe në finalet e Kampionatit Europian, “Francë 2016”.

TENTATIVA PËR BLERJEN E NDESHJES

Në një artikull të së përditshmes “Mundo Deportivo” të disa kohëve më parë thuhet se, në duelin e 22 shtatorit të vitit 1993, u shënua një tentativë për trukim. Ja si e ka përshkruar shtypi spanjoll tentativën e blerjes së kësaj ndeshjeje: “Një ndërmjetës spanjoll, i cili fluturoi në çarterin e skuadrës i ofroi Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjoll (RFEF), përmes Huan Espinos, zëvendëspresident i futbollit amator, blerjen e mundshme të ndeshjes.

“Ne jemi të gjithë të çmendur”, ka qenë përgjigja e prerë e presidentit Angel Maria Vijar asokohe. Në fushë u shuan të gjitha dyshimet. Ishte faza kualifikuese për Botërorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në Tiranë, Spanja luajti me një ekip të përbërë nga Zubizareta, Alkorta, Kamarasa, Nadal, Goikoeçea, Hulen Guerrero Hierro, Kaminero, Toni, Hulio Salinas dhe Alfonso. Pep Guardiola dhe Kike Estebaranz hynë në pjesën e dytë. Gjysmë ore pas ndeshjes, skuadra e drejtuar nga Havier Klemente po fitonte në shifrat 0-3.

Një tregolësh i Salinas, plus golat e Tonit dhe Kamineros vendosën rezultatin përfundimtar 1-5. Ishte një nga dy golat që Shqipëria ka shënuar ndaj Spanjës në historinë e saj. Tjetri erdhi në duelin e parë mes dy vendeve, i ngarkuar me konotacione politike dhe me televizionin spanjoll që i dha botës ndeshjen e parë shqiptare më 3 dhjetor 1986. Arteke dhe Hoakin i dhanë fitoren skuadrës së drejtuar nga Miguel Munjoz (1-2) në fazën kualifikuese për Kampionatin Europian të Gjermanisë 1988. Ndeshja e dytë u organizua nga Sevilja dhe Spanja fitoi 5-0 me një tregolësh të Bakeros, një gol të Miçellit me penallti dhe golin e Pako Lorentes.

Kaluan tre vjet përpara se rrugët e tyre të kryqëzoheshin sërish. Ishte në fazën kualifikuese për “Euro 1992”, në një ngjarje që la edhe një rekord për historinë. Ndeshja e parë, që u luajt më 19 dhjetor 1990, ishte fitorja më e madhe e përplasjeve. Një recital spanjoll në Sevilje, 9-0, me katër gola nga Emilio Butraguenjo, një dygolësh nga Karlos dhe golat e tjerë nga Amor, Hierro dhe Bakero. Ndeshja e kthimit ishte caktuar për në 18 dhjetor 1991, por që nuk u luajt. Spanja nuk kishte më opsione për klasifikim dhe rënia e regjimit komunist bëri që situata politike në Shqipëri të ishte e trazuar.

Tabela e përplasjeve plotësohet me një tjetër ndeshje në Sevilje, më 22 prill 1992, me një tjetër fitore të “La Rojas”, 3-0 falë dygolëshit të Miçellit dhe golit të Fernando Hierros. Rruga për në Botërorin “Rusi 2018” ishte hera e parë për Spanjën që luan në një qytet tjetër përveç Tiranës.

Kualifikueset e Boterorit logo

Më 9 tetor 2016, Shkodra ishte mikpritësja e spanjollëve në një ndeshje që u fitua nga iberikët në shifrat 0-2, me gola të Diego Kostës dhe Nolitos.

Kualifikueset 2017

Ndërsa ndeshja e kthimit e këtyre eliminatorëve u luajt më 6 tetor 2017 në Alikante dhe u fitua nga Spanja në shifrat 3-0 me golat e Rodrigos, Iskos dhe Tiago Alkantarës që u shënuan në 26 minuta e para të ndeshjes”, shkruante “Mundo Deportivo”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"