Prapaskenat e bujshme/ Oferta 100 milionë euro, Bajerni zgjedh Osimhenin
Prononcimi i Presidentit të Nderit, Uli Hënes, trazoi jo pak mediat europiane rreth hipotezës së 71- vjeçarit se Bajerni nuk do ta kishte problem të shpenzonte 100 milionë euro në merkaton e ardhshme, si referencë mbi alternativën e 9-ës në Mynih, por jo një “plakush” si Herri Kejn.
Më pak se një ditë ka dalë emri konkret se kush mund t’ua trazojë mendjen drejtuesve të kampionëve të Bundesligës në harxhimin e një kostoje të tillë, e cila mund të përkufizohet si çmenduri në perspektivën e rekordmenëve gjermanë. Sipas “Sky Sport”, Viktor Osimhen është personazhi i zgjedhur për të mbushur hendekun e lënë bosh nga largimi i goleadorit Robert Levandovski. Arsyeja e insistimit nga mediumi në fjalë rreth nigerianit lidhet më dy arsye kryesore:
FORMA E SHKËLQYER
Napoli po përjeton sezon të jashtëzakonshëm brenda dhe jashtë Italisë. Kualifikimi në fazën e grupeve si lider, ndonëse në gjendjen e Liverpulit, sigurimi i suksesit në transfertën e Frankfurtit në kuadrin e fazës me eliminim direkt nga Champions-i si dhe triumfi 3-0 në shtëpi, shto edhe pozitën e dominuesit në Serinë A bën të kuptosh se pjesa më e konsiderueshme e kësaj “torte” arritjesh i përket Osimhenit. 24-vjeçari ka marrë trajtën e goleadorit në ekipin e Spaletit, e përkthyer me 21 gola dhe 5 asiste në 27 prezenca me napolitanët në të gjitha frontet ku ata kanë shkelur (Serinë A, Kupë, Champions). Nëse do të përdornim gjuhën e shifrave, mesatarja e përfshirjes në gol është mbresëlënëse, 0.96 për ndeshje.
KARAKTERISTIKAT E NGJASHME ME LEVËN
Fiziku i përafërt me sulmuesin polak (Levandovski 185 cm, Osimhen 186 cm) i jep tjetër shtysë bordit të Bajernit në gjetjen e gjuhës së ndërmjetme me një personazh tejet “problematik” kur vjen fjala për marrëveshje si Aurelio de Laurentis.
Viktor në çdo veprim që kryen me topin nën këmbë apo duelet ajrore plotëson saktësisht rolin e “pykës”, siç po performon aktualisht me Napolin. Nuhatja e tij mbetet e jashtëzakonshme, duke prezantuar repertor të larmishëm, jo vetëm në finalizimin e rasteve, por edhe altruizmin ndaj shokëve të skuadrës. Nëse trinomi i këtij Bajerni të frikshëm mbi bazë të formës Nagelsman-Brazo-Kahn do t’ia dilnin në përmbylljen e operacionit me sukses, ndalja e tyre do të merrte nuancat e një misioni të pamundur jo vetëm në fushë, madje as në imagjinatë.
Përgatiti: SAIMIR MBËRSI – PANORAMASPORT.AL
